Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nuk ka arritur t’i heqë imunitetin, deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanovski, për të cilin gjykata penale e Shkupit ka kërkuar masën e paraburgimit lidhur me ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill 2017.

Seanca është mbajtur të dielën në orën 21.30, por para mesnatës ajo është ndërprerë nga Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi për shkak të tensioneve të ngritura mes deputetëve të shumicës parlamentare dhe opozitës, e cila kundërshtoi pikën e rendit të ditës meqë për të njëjtën nuk kishte mendim nga komiteti për çështje të mandateve dhe imunitetit.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se vazhdimin e seancës do ta caktojë në mënyrë plotësuese por pa saktësuar ditën. Në bazë të rregullores mbi punën e Kuvendit dhe kërkesës së gjykatës, votimi duhet të bëhej deri të dielën në mesnatë.

Deputetët e VMRO-së thanë se kërkesa për heqjen e imunitetin të Trajko Veljanovski, i cili për 10 vjet ka qenë kryetar i Kuvendit, është e motivuar politikisht për burgosjen e përfaqësuesve të opozitës dhe për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit nga problemet e shumta me të cilat përballen qytetarët.

Por, nga shumica parlamentare thanë se refuzimi i opozitës paraqet dëshmi sipas tyre se “VMRO DPMNE-ja nuk është e interesuar për luftimin sundimin e së drejtës, përkundrazi me veprimet e saj është vendosur në mbrojte të krimit të ish zyrtarëve të saj”.

Trajko Veljanovski dhe katër ish zyrtarë të tjerë, në mesin e të cilëve është edhe ish kryeministri i arratisur, Nikolla Gruevski dyshohen si organizatorë kryesorë të pushtimit të Kuvendit dhe të nxitjes së akteve të dhunës kundër deputetëve të LSDM-së e cila atë kohë ishte në opozitë.

Ata ngarkohen nga prokuroria me veprën penale “rrezikim terrorist i rendit kushtetues”./R.E.L

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re