Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka komentuar edhe situatën e rëndë të ndodhur në Fushë Krijë pak ditë më parë, ku anëtarë të familjes së ish deputetit Rahman Rraja dhunuan dy  persona të tjerë.

Sipas Ballës, djali dhe vëllai i Rahman Rrajës e kanë vendin para drejtësisë, duke theksuar se policia ende nuk e ka bërë punën e vet.

Balla tha më tej se “Ajo skenë flet për një situatë të majisur më parë nga toleranca e policisë së asaj zone që nuk i dëgjoi ankesat e banorëve dhe për pasojë zgjodhi të bëhej mburojë e paligjshmërisë duke u sjellë si e fortë me të dobtit dhe e dobët me të fortit.”

“Në takimin e parë që kam zhvilluar me drejtorin e përgjithshëm dhe drejtorin e Tiranës kërkesa ime ishte ndalimi dhe arrestimi i vëllait dhe djalit të ish deputetit të Fushë Krijues, i cili është miku im, ish kolegu im, Rahman Rraja. Ai me gjestin e dorëzimit të mandatit bëri detyrën e tij karshi qytetarëve duke u vetëndëshkuar moralisht. Ndërkohë  policia e shtetit nuk e ka bërë detyrën për të ndëshkuar dy individët e lartpërmendura që e kanë vendin para drejtësisë një orë e më parë. Ajo skenë e shëmtuar në Fushë Krujë ka një përmbajtje shumë më domethënëse sesa kapja e autorëve të saj. Ajo skenë flet për një situatë të majisur më parë nga toleranca e policisë së asaj zone që nuk i dëgjoi ankesat e banorëve dhe për pasojë zgjodhi të bëhej mburojë e paligjshmërisë duke u sjellë si e fortë me të dobtit dhe e dobët me të fortit. Ngjarja e Fushë Krujës ishte përgjigja e duhur ndaj dështimi më të thellë sesa gurorja e konfliktit që nxori dështimin e atij komisariati në sipërfaqe. Sot sapo kanë marrë emërimet drejtuesit e rinj, por shkaqet e atij dështimi janë aty dhe nuk janë vetëm në Fushë Krujë, por edhe në disa zona periferike të vendit, ku syri i drejtorisë së përgjithshme apo drejtorit të qarkut ka qenë miopë dhe duhet të hapet menjëherë. Sot jo nesër”, u shpreh Balla.

Fjala e plote e ministrit të Brendshëm Taulant Balla:

Zonja dhe zotërinj,

Ju drejtohem sot me ndjenjën e përgjegjësisë më të madhe të jetës sime publike dhe të mirënjohjes së thellë për besimin e kryeministrit, Presidentit dhe Grupit Parlamentar të maxhorancës, për marrjen e detyrës së ministrit tuaj. Ju bëj me dije që në fillim, se kam hyrë në këtë godinë me vetëdijen se suksesi në punën time është i pamundur pa ju dhe se krijimi i një fryme skuadre në luftën për përmbushjen e objektivave të këtij sektori është baza e suksesit që synoj. Ju siguroj për respektin tim, për dijet, eksperiencën, profesionalizmin e kësaj trupe dhe për gatishmërine time që të punoj me të gjithë ju, duke i dhënë secilit dhe secilës mundësinë të shpalosë aftësitë e veta për të bërë së bashku më të mirën.

Ka ndodhur në të shkuarën që paraardhës të nderuar të mitë në këtë detyrë e kanë nisur punën e tyre duke ndërruar drejtuesit dhe shefat.

Unë nuk e ndjej sot veten më të zotin se askush nga ju dhe nuk e shoh të udhës që të gjykoj asnjërin prej jush nga lartësia e detyrës sime. Jam këtu për t’ju udhëhequr, duke ju dëgjuar, duke ju mbështetur, duke mësuar prej jush dhe duke zbritur në çdo nivel të veprimtarisë së kësaj ministrie, në çdo zyrë e komisariat, nga Tropoja deri në Konispol.

Natyrisht fakti që unë e marr stafetën nga një koleg dhe shok i mirënjohur për seriozitetin dhe për korrektesën e tij, në një fazë kur reformimi i sektorit ka tanimë 10 vite që ka nisur, ma bën më të lehtë se sa sikur të më duhej të nisja gjithçka nga e para.

E sotmja s’ka krahasim me të shkuarën dhe gur pas guri ndërtimi i murit të shtetit në këtë sektor ka avancuar në mënyrë të dukshme dhe të padiskutueshme. Por e ardhmja nuk duhet të ketë krahasim me të sotmen dhe unë jam këtu me detyrën për të vazhduar me ju ndërtimin e murit, edhe më mirë, edhe më shpejt, duke përmirësuar çdo gjë, në çdo drejtim.

Kush do të jetë i gatshëm për ta bërë këtë në pozicionin që ka në vijën e këtij fronti të përbashkët, do të ketë mbështetjen time pa rezerva në çdo hap dhe derën time të hapur pa orar për çdo nevojë. Ndërsa kush nuk do të tregojë gatishmërinë për të shkuar përtej vetes, duke e rritur kontributin për kauzën e përbashkët, do ta ketë të pamundur të qëndrojë në pozicionin që ka.

Unë vij nga një jetë e tërë tanimë si deputet dhe mes deputetëve. Besoj se nëse do bëhej një garë se kush e kupton dhe e vlerëson më shumë rolin e deputetit, do të isha një pretendent serioz për ta fituar. Por asnjë deputet nuk duhet dhe nuk mund të ndërhyjë në punën tuaj, prandaj kush do të pranojë ndërhyrje nga deputetët për çfarëdo lloj aspekti konkret në dinamikën e kryerjes së detyrës së vet, nuk do të mund të paraqesë asnjë justifikim për të qëndruar më tej në detyrë. Deputeti ka detyrë t’ju drejtohet për çdo shqetësim, ju keni detyrë t’i dëgjoni me respekt sa herë ju bie telefoni prej deputetëve, por për çdo rast që arsyeja e telefonatës përbën ndërhyrje në kryerjen e detyrës suaj, ju kërkoj që deputetin ta drejtoni tek unë. Besoj vetëkuptohet që kur them këtë për deputetin, ndërhyrja e kujtdo tjetër është e papranueshme. Respekt maksimal në komunikim me këdo, mirësjellje dhe durim për këdo, po përzierje të kujtdo në detyrën tuaj në asnjë rast apo mënyrë.

Ky është standarti i kërkuar nga Kryeministri qysh në mbledhjen e parë te Grupit Parlamentar në vitin 2013, me theks të posaçëm tek Policia e Shtetit, ky është standarti i kërkuar nga të gjithë kolegët që më kanë pararendur, po ky është një standart që duhet aplikuar 100% dhe nëse më parë drejtues e shefa policie kanë çeduar nga ky standard, unë nuk do të çedoj në asnjë rast në masat që do të merren drejt tyre, për çedim ndaj ndikimeve nga jashtë.

Nga ana tjetër, unë do të kujdesem posaçërisht për rritjen e standartit të jetesës të punonjësve të policisë dhe përmirësimin e kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja, pa harruar që nga sot sistemimin përfundimtar të të gjitha familjeve të policëve të vrarë në krye të detyrës, fëmijët e të cilëve janë fëmijët tanë. Prandaj nga nesër do të fillojmë të trajtojmë problemin e banimit për ata që shërbejnë në qytete të ndryshme nga qyteti ku kanë familjen dhe do të hapim rrugën e aplikimeve për 100 banesat e para për vitin 2023, të cilat do t`u jepen familjeve të reja të punonjësve të policisë. Kriteret do të përcaktohen në ditët në vijim.

Në takimin e parë që kam zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm dhe atë të Tiranës, kërkesa ime e parë ishte arrestimi sa më parë i vëllait dhe i djalit të deputetit të Fushë-Krujës, i cili është miku dhe ish-kolegu im, Rrahman Rraja, i cili me gjestin e tij të dorëzimit të mandatit bëri detyrën e tij karshi qytetarëve, duke u vetëndëshkuar moralisht, por ndërkohë që Policia e Shtetit ende nuk e ka bërë detyrën e saj për të ndëshkuar ligjërisht dy individët e lartpërmendur, të cilët e kanë vendin para drejtësisë një orë e më parë.

Por ajo skenë e shëmtuar në Fushë-Krujë ka një përmbajtje shumë më domethënëse për Policinë e Shtetit se sa kapja autorëve të saj. Sepse ajo skenë flet për një situatë të mahisur më parë, nga toleranca e papranueshme e policisë së asaj zone, e cila nuk i dëgjoi ankesat e banorëve dhe për pasojë zgjodhi të bëhej mburojë e paligjshmërisë, duke u sjellë si e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët. Shkrirja e komisariatit të Fushë-Krujës ishte përgjigja e duhur ndaj një dështimi shumë më të gjerë dhe më të thellë, se sa gurorja e konfliktit që e nxorri dështimin në sipërfaqe.

Shkaqet e atij dështimi janë ende aty dhe nuk janë vetëm në Fushë-Krujë, po edhe në disa zona të tjera periferike të vendit, ku syri i drejtorisë së përgjithshme ka qenë miop dhe duhet të hapet menjëherë, sot, jo nesër.

Qytetarët janë jo vetem arsyeja pse ekziston Policia e Shtetit, po janë edhe partnerët tanë të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo individi, nga çdo lloj paligjshmërie, që nga krimi i organizuar, tek krimi ordiner dhe deri tek krimi ndaj pronës publike dhe asaj private. Veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore ndaj të fortëve të lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, jane rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit.

Në territorin e kësaj republike nuk mund të ketë feude ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët dhe nuk mund të ketë individë më të fortë sesa e bardha e vijave të rrugës apo e kuqja e ngjyrës së semaforëve, në çdo komunitet të Shqipërisë duhet të ketë rend ligjor dhe siguri për të gjithë, nën kujdesin dhe me garancinë e Policisë së Shtetit.

E kam vlerësuar si deputet deri dje dhe nuk kam si të mos e vlerësoj me respekt si ministër sot, përpjekjen kolosale të bërë deri më tani nga Policia e Shtetit kundër kultivimit të lëndëve narkotike, por s’kam sesi të mos ju kërkoj sot që kjo luftë të vazhdojë edhe më fort, përderisa përsëri e përsëri, tek apo tuk, kanabisi rinxjerr kokën sapo policia e kthen kokën nga ana tjetër. Ndaj ju lutem, mos të më thotë askush se një rrënjë kanabisi e ka një shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë dhe se një parcelë kanabisi e ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur.

Të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit.

Ka një kod etik të kahershëm tanimë, por të pazbatuar deri tani, që thotë se drejtuesit e policisë së shtetit nuk mund të ulen nëpër kafe e restorante as gjatë pune, as pas pune, përveçse për arsye familjare apo arsye të tjera për të cilat kanë vënë më parë në dijeni eprorët. Por jo vetëm kështu nuk ndodh, por ndodh fatkeqësisht që edhe që drejtorë e shefa komisariatesh, të kenë kontakte të papërshtatshme nëpër lokale, ku deri edhe u përcillen kriminelëve informacione sensitive të punës dhe të aksioneve policore. Natyrisht edhe në rrugë të tjera, po kjo rrugë që po them është përveçse po aq skandaloze sa të tjerat, edhe një karshëllëk poshtërues për gjakun e dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë, përveçëse është edhe shembulli më i keq dhe më demotivues për punonjësit e Policisë së Shtetit në vartësinë e drejtorëve e shefave të këtij profili kaq të ulët moral.

Brenda 10 ditësh nga sot Kodi Etik i Drejtuesve dhe Punonjësve të Policisë së Shtetit, do t’i lexohet çdo efektivi të policisë dhe do të vendoset në kornizë në çdo hyrje drejtorie dhe komisariati në Shqipëri.

Revolucioni Digjital në Policinë e Shtetit do të duhet të çohet përpara me një ritëm dhe efikasitet shumë më të lartë se deri tani dhe Komisariati Digjital do të marrë një peshë dhe rëndësi të dorës së parë, ai aplikacion duhet të jetë porta ku çdo qytetar jo vetëm mund të hyjë nga çdo smartfon apo kompjuter, por edhe të marrë përgjigje të shpejtë, jo vetëm me fjalë në të gjitha rastet, por edhe me vepra në çdo rast që ankesa është e drejtë. Në kohën kur qeveria po punon për të futur inteligjencën artificiale në platformën E-albania, në procesin e Integrimit Europian, në procesin e tenderimeve publike dhe të tjerë sektorë dhe kur dikastere të ndryshme kanë bërë kapërcime të mëdha në rrugën e Revolucionit Digjital, Policia e Shtetit nga një pararojë e digjitalizimit është kthyer në bishtin e fundit të kavallit. Të marrim shembull nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor Shqiptar, dje një nga simbolet e kaosit dhe korrupsionit në këtë vend, sot ai institucion është një pasqyrë e forcës së modernizimit digjital, falë të cilit lejet shqiptare të drejtimit u njohën deri edhe në Gjermani, ku dihet mirë se sa e vështirë është të kalosh provën e besueshmërise teknike.

Policimi në komunitet, bashkëpunimi me ekspertët policorë dhe me institucionet e komuniteteve vendore, bashki e drejtori qendrore, shkolla dhe komunitete fetare, duhet të ngrihet në një nivel te ri. Policia nuk qarkullon në lagje thjesht dhe vetem për të vënë gjoba, apo për tu dukur se është thjesht aty por për të bashkëjetuar me njerëzit, mësuar prej tyre dhe mbështetur zgjidhjen e konflikteve të vogla që mund të kthehen në kusure të mëdha për të gjithë.

Lufta kundër korrupsionit nuk nis jashtë nesh, por së pari brenda rradhëve tona. Agjencia e Mbikqyrjes Policore është krijuar me një ligj të punuar bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, në parlament e kemi konsideruar si një ligj të rëndësisë së veçantë, të cilin e njoh mirë dhe e kam mirë parasysh sa pritshmëri kemi pasur kur e kemi miratuar këtë ligj. Pyetja ime kaq kohë pas krijimit të Agjencisë si një derivat i SHKB-së së dikurshme, sa drejtues a shefa komisariatesh të Policisë së Shtetit janë kapur me presh në duar? Nuk i vë në diskutim këtu rezultatet e agjencisë, të kuptohemi qartë, por ama nuk mund të mos vë në diskutim faktin se pas statistikave të saj qëndron e vërteta se janë goditur shumë keqbërës të vegjël nën uniformë, por keqbërës të mëdhenj më shumë se sa pak, për të mos thënë aspak!

Nuk po zgjatem më tutje, sepse ka shumë gjëra për të thënë, po gjërat për t’u bërë janë ato që fundja do të përcaktojnë edhe vlerën e atyre që tashë dhe që themi. Prandaj ju falenderoj për vëmendjen, ju siguroj se nuk do të dëgjoni shumë fjalime nga unë, kam mbajtur shumë fjalime në Kuvend për 18 vite, shpresoj që që të jem kuptuar si do të doja për këto piketa fillestare të drejtimit tim dhe uroj që me ndihmën e Zotit të jemi fuqia e madhe e ndryshimit të mëtejshëm, që shqiptarët duan dhe meritojnë nga ne në këtë Ministri.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re