Policia ka finalizuar operacionin “Vjeshta” dhe ka arrestuar dy persona që kryenin vjedhje të biçikletave. Forcat blu arritën të sekuestronin 66 bicikleta të madhësive të ndryshme ndërsa janë arrestuar dy vëllezërit në Tiranë, të identifikuar si A. F., 30 vjeç dhe D. F., 30 vjeç.

Ndërsa tre të rinj të tjerë, të identifikuar si E. P., 17 vjeç, E. D., 24 vjeç dhe A. B., 25 vjeç, janë shpallur në kërkim. Pjesë e grupit të hajdutëve të biçikletave është edhe një 12-vjecar, i cili do të procedohet penalisht.

Njoftimi i plotë: Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Vjeshta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, procedohet penalisht 1 shtetas, si dhe shpallen në kërkim 3 shtetas të tjerë që kryenin vjedhje biçikletash.

Zbardhen dhe dokumentohen dhjetëra raste të vjedhjeve të biçikletave. Këta shtetas dyshohet se kryenin vjedhje të biçikletave në të gjithë territon e qytetit të Tiranës. Sekuestrohen 66 biçikleta të modeleve dhe madhësive të ndryshme.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të biçikletave dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, si dhe në bazë të provave të grumbulluara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Vjeshta”, në kuadër të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-A. F., 30 vjeç dhe D. F., 30 vjeç (vëllezër), të dy banues në Tiranë. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. P., 17 vjeç, E. D., 24 vjeç dhe A. B., 25 vjeç, me precent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.

Shtetasit E. P., E. D. dhe A. B., në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin vjedhje të biçikletave në të gjithë qarkun e Tiranës dhe më pas ia shisnin kundrejt vlerave të vogla monetare, shtetasve A. F dhe D. F.

Në kuadër të këtij operacioni u procedua penalisht edhe shtetasi i mitur me iniciale E. K., 12 vjeç, pasi më datë 09.10.2020, ka vjedhur biçikletën e shtetasit E. P.

Gjatë kontrollit të ushtruar në dy ambiente të ndryshme në pronësi të shtetasve A. F. dhe D. F., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 66 biçikleta të modeleve dhe madhësive të ndryshme të vjedhura në vende dhe kohë të ndryshme në Tiranë.

Komisariati i Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me të gjitha Komisariatet e tjera të Tiranës, vijon punën për mbledhjen e të gjithë kallëzimeve të bëra nga qytetarët për vjedhjen e biçikletave, me qëllim për paraqitjen për njohjen e biçikletave të tyre.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.