Vendet arabe të hënën i shprehën ngushëllime Türkiye-s dhe Sirisë lidhur me tërmetet vdekjeprurëse që lanë të vdekur mijëra persona në të dy vendet.

Një tërmet me magnitudë 7.7 ballë goditi provincën Kahramanmaraş të Türkiye-s të hënën herët dhe një tjetër tërmet me magnitudë 7.6 ballë goditi të njëjtën zonë pasdite, duke lënë të vdekur të paktën 3.381 persona dhe duke plagosur 15.834 të tjerë, sipas Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të vendit (AFAD).

Ndërkohë, të paktën 1.356 persona humbën jetën dhe 3.419 të tjerë u lënduan nga tërmetet në Siri, sipas shifrave të përpiluara nga Ministria e Shëndetësisë e regjimit sirian dhe Mbrojtjes Civile Siriane.

Egjipti të hënën përcolli ngushëllimet e tij të sinqerta dhe shprehu solidaritetin me Türkiye-n dhe Sirinë për viktimat e tërmeteve shkatërruese që goditën të dy vendet të hënën.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme konfirmoi gatishmërinë e Egjiptit për të ofruar ndihmën e saj.

Kreu i Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut, Nechirvan Barzani, shprehu ngushëllime për Türkiye-n dhe Sirinë për tërmetet.

“Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e viktimave dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, tha Barzani në një deklaratë.

Ministria e Jashtme palestineze shprehu ngushëllimet e saj për tërmetet që shkaktuan shkatërrime masive në të dy vendet.

Ahmed Al-Deek, këshilltari politik i ministrit të Jashtëm tha: “Ambasada Palestineze në Damask raportoi shembjen e dy ndërtesave në kampin Al-Raml në Lattakia dhe një mur mbajtës në kampin Al-Neirab në Halep, që çoi në vdekjen e tetë personave, përfshirë tre fëmijë”.

Ambasada e Sulltanatit të Omanit në Türkiye lëshoi një deklaratë ku thoshte se është duke ndjekur situatën pas tërmeteve që goditën Türkiye-n dhe se është në kontakt me autoritetet përkatëse zyrtare për të kontrolluar qytetarët e Omanit.

Jordania shprehu ngushëllimet e saj për Türkiye-n dhe Sirinë pas tërmeteve vdekjeprurëse.

Ministria e Jashtme jordaneze në një deklaratë shprehu “ngushëllimet më të sinqetra dhe bashkëndjenjën e saj të sinqertë për Republikën Arabe Siriane dhe Republikën e Türkiye-s për viktimat e tërmetit që ndodhi mëngjesin e së hënës dhe rezultoi në një numër viktimash dhe të plagosurish”.

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan telefononi presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan dhe “shprehu ngushëllimet e tij të përzemërta” dhe gjithashtu “i ofroi mbështetjen dhe solidaritetin e tij, duke uruar shërim të shpejtë për të plagosurit”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve WAM.

Arabia Saudite tha se po ndjek nga afër “rrjedhën e ngjarjeve fatkeqe në Türkiye dhe Siri në mes të tërmetit vdekjeprurës” dhe shprehu “solidaritet, simpatinë dhe ngushëllimet për vëllezërit në Siri dhe Türkiye”.

Ministria e Jashtme sudaneze i shprehu ngushëllimet Türkiye-s dhe Sirisë për viktimat e tërmetit dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.

Kryeministri libanez Najib Mikati shprehu ngushëllimet e tij për Türkiye-n dhe Sirinë, duke thënë se qeveria e tij po ndjek mundësinë e dërgimit të ekipeve të shpëtimit për të mbështetur të dy vendet.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re