Vendet në Evropë lejojnë krimet e urrejtjes kundër muslimanëve duke legalizuar islamofobinë dhe duke miratuar ligje që ndalojnë ose kufizojnë praktikimin e fesë, tha profesori në Universitetin Turko-Gjerman në Istanbul, Enes Bayrakli.

“Çdo vit ne shohim një vend të ri në Evropë se si sjell një plan të ri, një ligj të ri, një parti e cila ndalon muslimanët të praktikojnë fenë e tyre. Mund të jetë ndalimi i minareve, ndalimi i xhamive, ndalimi i hixhabit ose ndalimi burkës. Rregullore të tilla materializohen çdo vit dhe kjo po bëhet gjithnjë e më normale në Evropë”, tha Bayrakli për Anadolu.

Me rastin e 15 Marsit – Ditës Ndërkombëtare Kundër Islamofobisë, Bayrakli foli për Anadolu për gjendjen aktuale të muslimanëve në vendet evropiane.

“Ajo (islamofobia) po institucionalizohet dhe legalizohet gjithnjë e më shumë. Ka debate në pjesë të ndryshme të Evropës për legalizimin e islamofobisë”, tha ai.

Bashkëredaktori i një raporti vjetor të quajtur “European Islamophobia Report (Raporti Evropian i Islamofobisë)”, Bayrakli gjithashtu ndau pikat kryesore nga raporti i ardhshëm i vitit 2022, duke theksuar se tre vende u shfaqën si vendet më radikale për muslimanët në vitin 2022.

“Kryesojnë tre vende, Franca, Austria dhe Danimarka. Fatkeqësisht, në këto vende, debatet për muslimanët janë shumë radikale dhe qeveritë marrin qëndrime vërtet të ashpra ndaj organizatave joqeveritare muslimane dhe individëve që luftojnë kundër islamofobisë”, tha Bayrakli.

Duke folur për Ditën Ndërkombëtare kundër Islamofobisë, Bayrakli tha se kjo datë mund të jetë një gur themeli në luftën globale kundër islamofobisë.

– Debat i ri për refugjatët

Duke folur për vitin 2022, i cili filloi me luftën Rusi-Ukrainë në shkurt, Bayrakli tha se konflikti kishte ndryshuar axhendat politike në shumë vende evropiane, duke ndezur një debat të ri për refugjatët.

“Ky debat i vjetër për refugjatët dhe se Evropa është mbushur dhe nuk mund të pranojë më shumë njerëz, u shemb befasisht. Papritur Polonia ishte e gatshme të pranonte miliona refugjatë, po ashtu edhe Gjermania ishte e gatshme të pranonte miliona njerëz nga Ukraina”, tha Bayrakli.

Ai iu referua gjithashtu qasjes së raportimit të mediave në Evropë dhe SHBA, në të cilën disa sugjeruan se refugjatët nga Ukraina ishin të mirëpritur për shkak të ngjyrës së tyre të lëkurës dhe se ata ishin më të civilizuar në krahasim me refugjatët sirianë.

Evropa, nga ana tjetër, ka mbyllur kufijtë dhe ka ngritur mure për të parandaluar refugjatët që vijnë nga rajone të tjera përmes Detit Egje dhe Mesdhe, duke rezultuar në mijëra të vdekur, tha eksperti.

“Kjo tregon se sa racist ishte ky diskurs. Shkaku i gjithçkaje ishte feja, sepse këta refugjatë u refuzuan për shkak të fesë dhe ngjyrës së lëkurës së tyre”, tha Bayrakli.

– Rritja e ndjenjave negative ndaj muslimanëve

Paragjykimi dhe ndjenjat negative ndaj muslimanëve ka të ngjarë të rriten këtë vit, vlerëson Bayrakli.

“Çdo vit bëhet gjithnjë e më e vështirë për individët muslimanë, por edhe për organizatat joqeveritare muslimane”, shtoi ai.

Bayrakli shpjegoi se “OJQ-të muslimane”, veçanërisht në Francë, ishin nën presion të madh nga qeveria franceze dhe shumë prej tyre u mbyllën nga autoritetet pa ndonjë gjyq apo dëshmi të ekstremizmit apo radikalizmit.

“Kjo atmosferë dyshimi ndaj muslimanëve, ndaj institucioneve të tyre, ndaj xhamive të tyre, ndaj jetës së tyre fetare apo private, është futur në narrativat e këtyre vendeve nga politikanët, mediat dhe intelektualët. Për fat të keq, po bëhet gjithnjë e më e pranueshme dhe normale”, konsideron Bayrakli.

– Shmangia e termit islamofobia

Sipas tij, shumë vende në Evropë tani nuk e njohin islamofobinë dhe refuzojnë ta përdorin këtë term.

Duke përmendur shembuj, ai tha se Këshilli i Evropës ka caktuar koordinator për të luftuar urrejtjen kundër muslimanëve ndërsa ata përmbahen nga përdorimi i fjalës islamofobia sepse janë nën presionin e vendeve si Franca.

“Ekziston një rezistencë politike që të mos pranohet problemi i islamofobisë. Ata po përpiqen të shmangen duke luajtur me këtë çështje në mënyrë që të mos e përdorin fjalën. Kur nuk e përdor fjalën, kjo do të thotë, sigurisht, se politikisht nuk pranon se ka një problem”, tha ai.

– Islamofobia duhet të njihet politikisht si problem

Raporti vjetor, mbi të cilin punon Bayrakli, regjistron incidente dhe ngjarje të islamofobisë çdo vit që nga viti 2015.

Raporti i vitit 2022, i cili do të publikohet javën e ardhshme, do të tregojë gjendjen e muslimanëve në 23 vende evropiane, theksoi ai.

“Islamofobia duhet të njihet politikisht si një problem. Mendoj se ky është hapi i parë. Pastaj mund të flasim për strategji se si ta luftojmë islamofobinë”, rekomandoi Bayrakli.

Profesori universitar theksoi rëndësinë e shënimit të krimeve të përditshme të urrejtjes ndaj muslimanëve si dhe publikimin vjetor të të dhënave.

Ai sugjeroi që organizatat joqeveritare dhe akademikët të punojnë rreth islamofobisë nga këndvështrime të ndryshme dhe të bëjnë kërkime në terren.

“Islamofobia nuk është vetëm paragjykim ndaj muslimanëve. Është racizëm. Islamofobia është racizëm anti-musliman. Është një formë e re e racizmit kulturor dhe duhet kuptuar në këtë mënyrë, në mënyrë që të mund ta luftojmë këtë problem në një mënyrë më sistematike”, tha Bayrakli.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re