Skip to content

Vendi aziatik që synon të ndalojë mediat sociale për personat nën 16 vjeç

Malajzia planifikon të ndalojë mediat sociale për personat nën 16 vjeç nga viti 2025, duke shtuar emrin e saj në listën e vendeve që miratojnë rregulla më të rrepta për të mbrojtur të miturit online.

Ministri i Komunikimit Fahmi Fanjil tha të dielën se qeveria po shqyrton modelet e përdorura në Australi dhe vende të tjera mbi kufizimet e moshës. Ai tha se qëllimi është të mbrojë të rinjtë nga rreziqe të tilla si ngacmimi online, mashtrimet financiare dhe abuzimi seksual i fëmijëve.

 “Shpresojmë që brenda vitit të ardhshëm, platformat do të zbatojnë vendimin e qeverisë për të ndaluar llogaritë për përdoruesit nën 16 vjeç,” u tha ai gazetarëve në një video të publikuar nga gazeta lokale The Star.

Debati mbi ndikimin e mediave sociale në shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve po intensifikohet ndërkombëtarisht. Në SHBA, kompani të mëdha si TikTok, Snapchat, Google dhe Meta po përballen me padi për rolin e tyre në përkeqësimin e shëndetit mendor të të rinjve.

Ndërkohë, Australia po përgatitet të çaktivizojë llogaritë e përdoruesve nën 16 vjeç muajin e ardhshëm, ndërsa vende si Franca, Spanja, Italia, Danimarka dhe Greqia po testojnë së bashku teknologjitë e verifikimit të moshës.

Në vitet e fundit, Malajzia ka rritur mbikëqyrjen e platformave dixhitale për shkak të rritjes së përmbajtjes si lojërat e fatit të paligjshme në internet dhe postimet që prekin çështje të racës, fesë dhe familjes mbretërore. Në fakt, që nga janari, platformat dhe shërbimet e mesazheve me më shumë se 8 milionë përdorues duhet të marrin një licencë për të vepruar sipas një rregulloreje të re. /tesheshi.com/