VALENTINA MADANI / Drejtuesit e lartë të institucioneve të vendit shkelin hapur protokollin e shtetit. Tre krerët e rëndësishëm ndodhen jashtë Shqipërisë, ndërkohë që vendi ka mbetur për disa ditë në duart e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama dhe Kryeparlamentarja Lindita Nikolla kanë udhëtuar jashtë Shqipërisë njëkohësisht. Kështu, vendi është pa drejtues. Bajram Begaj, Edi Rama dhe Lindita Nikolla i vunë çelësin zyrës duke udhëtuar jashtë Shqipërisë dhe njëkohësisht duke e lënë vendin pa drejtues.

Presidenti Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama Rama ndodhen në Amerikë në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kurse kryetarja e Kuvendi, Lindita Nikolla ndodhet në Gjermani. Bajram Begaj dhe Edi Rama morën rrugën për në Amerikë, ku do të jenë pjesë e takimeve në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, një aktivitet, i cili në publik është njoftuar më shumë se dy muaj më parë.

Ndërsa Kryetarja e Kuvendi, Lindita Nikolla ka udhëtuar drejt Gjermanisë teksa dje takoi homologen e landit të Bremenit, Antje Grotheer. Protokolli Shtetëror e specifikon qartësisht se tre titullarët e tre institucioneve kryesore nuk duhet të largohen nga Shqipëria në të njëjtën kohë. Rregullat protokollare sanksionojnë se Presidenca, Kuvendi dhe Kryeministria duhet të koordinohen në mënyrë që të paktën njëri nga titullarët e institucionit të qëndrojë në Shqipëri.

“Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të tre personaliteteve kryesore jashtë shtetit. Vizitat koordinohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit në të njëjtën kohë”, protokolli i shtetit.

Protokolli e parashikon që të paktën një nga tre krerët e shtetit duhet të jetë në vend, por rastet kur të tre lëviznin njëkohësisht për vizita jashtë shtetit janë bërë tashmë të përsëritur. E njëjta gjë ndodhi tre vite më parë pikërisht me 15 prill të vitit 2019 kur tre krerët e rëndësishëm të shtetit thyen protokollin, duke udhëtuar të gjithë jashtë vendit.

Në atë kohë ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte i ftuar në kolegjin e mbrojtjes së NATO-s në Romë, me rastin e 10 vjetorit te futjes së Shqipërisë në Aleancën euroatlantike. Kurse ish Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ndodhej në një vizitë zyrtare në kryeqytetin italian. Në të njëjtën kohë edhe Kryeministri Edi Rama ndodhej në një vizitë zyrtare në Katar. Kjo shkelje e drejtuesve të rëndësishëm të shtetit bëhet në mënyrë të përsëritur pavarësisht se Protokolli i shtetit e parashikon që të paktën një nga tre krerët e shtetit duhet të jetë në vend.

E njëjta gjë ndodhi edhe më 25 nëntor të vitit 2015. Krerët më të lartë të shtetit shkelën protokollin zyrtar, duke udhëtuar të tre jashtë vendit në të njëjtën kohë. Kjo ndodhi në një kohë vendi kur ndodhej nën masa të shtuara të sigurisë për shkak të kërcënimit global të terrorizmit, kjo pasi edhe vetë ata patën deklaruar se Shqipëria nuk është as më pak dhe as më shumë se vendet e tjera të rrezikuara.

Pas mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurisë dhe vetëm një javë pas sulmeve terroriste në Francë, tre krerët e lartë të shtetit udhëtuan jashtë shtetit, çka përbën shkelje të Protokollit Shtetëror. Ish Presidenti I ndjerë Bujar Nishani ishte në Zagreb të Kroacisë ku mori pjesë në Samitin e Jashtëzakonshëm të Krerëve të Shteteve të Procesit të Bërdo¬ Brijunit, në fokus të të cilit ishin çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj terrorizmit, të krizës së migracionit nga vendet në konflikt, si dhe të rivitalizimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Njëkohësisht Kryeministri Edi Rama ndodhej në Kinë për një vizitë treditore, ku mori pjesë në takimin e 4-ët 16 + 1, me në fokus bashkëpunimin me këtë shtetet dhe ish-kryeparlamentari Ilir Meta zhvilloi një vizitë zyrtare disa ditore në Itali dhe më pas Gjermani. Kështu as atëherë krerët më të lartë të shtetit nuk rakorduan lëvizjet e tyre jashtë vendit, ndryshe ngase thotë ceremoniali zyrtar, konkretisht: Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të tre personaliteteve kryesore jashtë vendi.

Vizitat koordinohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit në të njëjtën kohë. Një tjetër precedent i tillë ndodhi më herët kur të tre ish-zyrtarët më të lartë udhëtuan jashtë vendit, konkretisht ish-Presidenti Bujar Nishani në Katar, Rama në Francë dhe Meta në Kuvajt.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re