Kabineti i Japonisë ka miratuar eksportin e avionëve luftarakë që vendi po zhvillon me Britaninë dhe Italinë.

Është, siç vëren BBC, e fundit në një seri lëvizjesh larg nga politikat pacifiste që kanë karakterizuar vendin që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore në 1945.

Madje, ajo vjen pak para vizitës zyrtare të kryeministrit Fumio Kishida në SHBA në prill, ku ai pritet të nxjerrë në pah aleancën e Tokios me Uashingtonin dhe gatishmërinë e vendit të tij për t’u përfshirë më shumë në bashkëpunimin në mbrojtje.

Vendimi i kabinetit parashikon që Japonia do të jetë në gjendje t’u shesë avionë vendeve me të cilat Tokio ka nënshkruar kontrata mbrojtëse dhe me të cilat nuk ka asnjë konflikt aktual.

Megjithatë, çdo shitje e avionëve luftarakë do të kërkojë miratimin e kabinetit.

Japonia është zotuar të dyfishojë shpenzimet ushtarake deri në vitin 2027, duke përmendur kërcënimet e paraqitura nga Kina dhe Koreja e Veriut.

Në dhjetor 2022, Japonia iu bashkua bashkëpunimit britaniko-italian, të quajtur Tempest, për të zhvilluar një avion luftarak që do të përdorë inteligjencën artificiale dhe sensorë të avancuar. Është bashkëpunimi i parë i Tokios në zhvillimin e pajisjeve të mbrojtjes me një vend jashtë SHBA-së.

Avioni pritet të hyjë në funksion deri në vitin 2035.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Japonia e atëhershme e pushtuar nga SHBA miratoi një kushtetutë që thotë se vendi heq dorë nga lufta dhe përdorimi i forcës për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërkombëtare. Kushtetuta nuk e njeh zyrtarisht ushtrinë dhe e kufizon atë në aftësitë vetëmbrojtëse.

Ajo vendosi gjithashtu një ndalim të eksportit të armëve, i cili u lehtësua fillimisht në vitin 2014 nën kryeministrin e atëhershëm Shinzo Abe. Në dhjetor 2023, Japonia zbuti më tej rregullat për shitjen e armëve vdekjeprurëse që prodhon sipas licencave të huaja për t’u eksportuar në vendin ku është i bazuar licencuesi. Kjo i hapi rrugën Tokios për të dërguar raketa anti-ajrore Patriot në SHBA.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re