Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur që Sonila Bejtja të vijojë garën për gjyqtare në Gjykatën Kushteutuese, ndërsa ka ndaluar Eugen Papandilin që të kandidojë për vakancën e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës.

Vendimi u mor në mbledhjen e ditës së sotme, ndërsa theksohet se kandidati që u ndalua ka patur mangësi në një apo disa kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe Ligji, por ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 5 ditësh.

Njoftimi i plotë: Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), vijoi këtë të premte, datë 09.10.2020, mbledhjen e tij të radhës, me këtë rend dite:

1.Shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

– Eugen Papandile

– Sonila Bejtja

2.Vendimmarrja lidhur me lejimin/ndalimin e kandidimit të kandidatëve të mësipërm.

Në mbledhjen e sotme merrnin pjesë anëtarët e KED, anëtarët zëvendësues, përfaqësuesi i Avokatit te Popullit, përfaqësuesite Presidentit të Republikës, përfaqësuesi i Kryetarit të Kuvendit.

Mbledhja nisi me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së datës 05.10.2020.

Shqyrtimi i rasteve të kandidatëve për vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese është vendosur në përfundim të procedurave të verifikimit rigoroz dhe të thelluar të ndjekura nga Këshilli, sipas ligjit dhe standardeve tashmë të njohura e të aplikuara që kërkohen për përzgjedhjen, qenien dhe konfirmimin në detyrën e magjistratit apo anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për secilin kandidat të përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi mendimin e Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, unanimisht vendosi:

A.Lejimin e kandidimit të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese :

1.Sonila Bejtja, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

B.Ndalimin e kandidimit të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese si më poshtë:

1.Eugen Papandile, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

Vendimet e plota dhe të zbardhura do të publikohen të arsyetuara në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Kandidatët për të cilët është vendosur ndalimi, kanë patur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë së 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re