Largimi nga posti i drejtorit të Policisë së Shtetit të Muhamet Rrumbullakut, ka bërë që drejtuesi i ri duhet të zgjidhet nëpërmjet garës.

Ose të paktën në letër pretendohet se gjithçka do të vendoset në bazë të meritokracisë, një premtim që e bëri pak ditë më parë edhe ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha. Aplikuesit kanë veç muaj javë kohë për të depozituar kërkesat për këtë post, ndërkohë që emrat e tyre do të kalojnë nëpër sitën e tre zyrtarëve të lartë të dikasterit. Janë publikuar kriteret që duhet të plotësojnë konkurrentët ndërkohë që një nga pikat më të forta janë gradat që posedojnë efektivët e Policisë së Shtetit që do të garojnë.

APLIKIMI

Aplikantët për postin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit kanë 7 ditë afat, duke nisur nga dita e sotme, për të dorëzuar kandidaturat. Emrat e kandidatëve do të bëhen publikë pas 7 ditësh, pas përfundimit të aplikimeve. Aplikantët do të vlerësohen paraprakisht nga një Komision i Posaçëm, që do të ketë në përbërje një zv.ministër të Brendshëm, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Vendimet për kualifikimin ose shkualifikimin e aplikantëve merren me shumicën e votave, ndërsa vendimet për vlerësimin e kandidatëve merren individualisht nga çdo anëtar i Komisionit, sipas rregullave të përcaktuara në këtë udhëzim. Kandidatët që konkurrojnë për postin e drejtorit të Policisë së Shtetit duhet të plotësojnë edhe disa kritere, si: Grada e rolit të mesëm drejtues, të ketë shtetësi shqiptare; të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë; të mos ketë marrë masat disiplinore brenda 5 vjetëve të fundit, të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse, si dhe të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.

KOMISIONI I POSAÇËM

Komisioni i Posaçëm i vlerësimit të kandidatëve do të përbëhet nga:

a) Një nga zëvendësministrat, i caktuar nga Ministri i Brendshëm, kryetar.

b) Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, anëtar.

c) Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, anëtar. Vendimet për kualifikimin ose shkualifikimin e aplikantëve merren me shumicën e votave, ndërsa vendimet për vlerësimin e kandidatëve merren individualisht nga çdo anëtar i komisionit, sipas rregullave të përcaktuara në këtë udhëzim.

Kandidati për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit paraqet dokumente që provojnë se plotëson kushtet e parashikuara në nenin 56, të ligjit për Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.

KRITERET

Kandidati dorëzon dokumente mbështetëse për secilin prej kushteve ligjore si më poshtë:

a) mban njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues;

b) të ketë shtetësi shqiptare;

c) të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;

ç) të mos ketë marrë masat disiplinore të përcaktuara në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të pikës 1 të nenit 123 të ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, brenda 5 (pesë) vjetëve të fundit;

d) të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse .

dh) të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit./Gazeta Panorama

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re