Pavarësisht se rezultati i rinumërimit të votave në qarkun Fier i dha asaj të drejtën për të qenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, Maldrita Bardho kandidatja pë deputete në Partisë Socialiste ka vendosur të tërhiqet dhe të mos e marrë mandatin e deputetes.
Në një deklaratë publike në rrjetin social “Instagram”, ajo shpreh falënderim për mbështetjen e marrë nga qytetarët, është shprehur se ndihet e nderuar për besimin e dhënë në radhët e partisë rozë.
“Ndihem e lumtur dhe e nderuar që kontributi im i gjatë në Partinë Socialiste është vlerësuar nga bashkëqytetarët e mi dhe ata më kanë konsideruar të denjë për t’i përfaqësuar në Parlamentin Shqiptar,” shprehet ajo.
Megjithatë, ajo ka thënë se vendimin për të mos marrë mandatin e ka marrë përpara se të niste rinumërimi, një vendim që, sipas saj, sot është përforcuar përfundimisht.
“Do të vijoj të kontribuoj për Partinë Socialiste dhe për Lushnjen, me të gjithë mundësitë e mia, por pa qenë pjesë e Parlamentit Shqiptar,” shkruan ndër të tjera.
Ajo i lë vendin e saj në Kuvend Zegjine Çaushit, e cila ndodhej vetëm 10 vota pas saj në renditje.
“Do t’ia lë me shumë kënaqësi vendin tim koleges dhe mikes time, Zegjine Çaushi, e cila ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën se për veten në këtë fushatë, duke u vënë padrejtësisht në shënjestër nga politika e vjetër që ka frikë nga zërat e rinj,” shton ajo.
Bardho e ka mbyllur deklaratën e saj me një falënderim të përzemërt për mbështetësit, duke u shprehur se do të vazhdojë të jetë pranë tyre me të njëjtin pasion dhe energji që ka pasur ndër vite krah PS.

