Në vendimin e fundit, Bordi i Transparencës vendosi të ulë me 5 lekë çmimin e naftës, duke u trgëtuar me 209 lekë/litër.

 

Por ky çmim është më i larti në rajon, sipas Konfindustrisë.

 

Në një reagim, Konfindustria shprehet se nafta sot duhet të ishte nën 200 lekë për litër.

 

Konfindustria shpreh shqetësimin e përsëritur për mënyrën e vendimarrjeve të Bordit të Karburanteve, qartësisht në kundërshtim me interesin publik me çmimet më të larta në Rajon dhe kahjet e dukshme rënëse të tregjeve botërore. Çmimet e larta krahësimore dhe absolute të karburanteve janë me pasoja afatgjata shkatërrimtare për biznesin, qytetarët, ekonominë kombëtare si dhe nxisin kontrabandën masive, që mund të shkojë në mbi 300 milion euro/vit.

 

Shembull i qartë për sa më sipër janë vendimarrjet e javës së parë të muajit dhjetor 2022. Duke vlerësuar krahësimisht çmimet e tregjeve botërore me periudhën e fillimvitit, sot produkti “naftë” duhet të ishte të paktën nën nivelin e 200 lekë/litër nga 209 lekë/litër të vendosur nga Bordi.

 

Bien në sy vendimarrjet e menjëhershme të Bordit në rast të rritjes së çmimeve të karburanteve në tregjet botërore dhe tejzgjatja në kohë në rastin e rënies. Gjithashtu, rritjet e çmimeve në vlerë absolute janë shumë më të forta, sesa uljet përkatëse. Konkretisht, në vendimarrjet e fundit brenda dy ditësh Bordi rrit fillimisht çmimin e “naftës” me 8 lekë/litër dhe e uli me 5 lekë/ litër me rritje përfundimtare me 3 lekë/litër. Ndërkohë, çmimet e tregjeve botërore dhe rajonale janë në ulje të qartë.

 

Konfindustria ka kërkuar themelimin e Entit Rregullator të Karburanteve në varësi të Kuvendit të Shqipërisë dhe me përbërje të profesionistëve. Bordi i Karburanteve ka në përbërje antarë me konflikt të qartë interesi. Gjysma e antarëve vendimarrës janë pikërisht përfaqësues të subjekteve, që duhet të jene objekt kontrolli.