Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha se Shqipëria për 4 vjet qëndroi pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë dhe kjo nuk ndodh në asnjë vend anëtar të NATO-s.
Sipas tij, Kuvendi nuk mund të pengojë dërgimin e çështjeve në Kushtetuese kur këtë e kërkon 1/10 e anëtarëve të Parlamentit.
“Sipas logjikës së PS-së, Kuvendi me shumicë votash mund të bllokojë çdo nismë që 1/10 e anëtarëve të Parlamentit mund t’i drejtohen Kushtetueses. Në këtë pikëpamje për çfarë nga duhet Gjykata Kushtetuese kur Kuvendi mund të bllokojë dërgimin e çdo akti?”, tha Mediu në emisionin “Open” në News24.
Deputeti i PR u shpreh se ligjvënësit janë në lirinë e tyre për të votuar, mund të votojë sipas bindjes që ka, por nuk mund të votojë kundër Kushtetutës.
“Kushtetuta e Shqipërisë thotë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për tu zbatuar”, tha Mediu. Sipas tij, është çështje tjetër ajo se çfarë vendos Gjykata, pra në rastin konkret për mandatin e Olta Xhaçkës, dhe tjetër çështje e drejta e 1/10 të deputetëve që t’i drejtohen Kushtetueses.