Gjykata Kushtetuese ka gjykuar muajt e fundit disa çështje me interes të madh publik dhe rastësi ose jo, por konstatohet se të gjitha vendimet e marra, janë pro qeverisë shqiptare, teksa ankues ka qenë opozita.

Një nga vendimet e fundit të marra nga Gjykata Kushtetuese është rrëzimi i padisë së 37 deputetëve të opozitës, të cilët kërkuan shfuqizimin e marrëveshjes për Portit e Durrësit, ku qeveria shqiptare ka rënë dakord me Emiratet e Bashkuara Arabe, për ndërtimin e një marine turistike, por nga opozita dhe ekspertë të shumtë të pavarur konsiderohet një projekt me shkelje të rënda kushtetuese.

Një tjetër vendim i Gjykatës Kushtetuese që është kontestuar nga opozita, është lënia në fuqi e VKM-së së qeverisë shqiptare për rregullat dhe procedurat për të konfiskuar pronat me vendime qeverie pa një proces të rregullt gjyqësor.

Një standard të dyfishtë Gjykata Kushtetuese përdori tek 2 bordet e qeverisë të cilat u krijuan për shkak të rritjes së çmimeve dhe karburanteve. Nëse anëtarët e kushtetueses rrëzuan bordin e ushqimeve, nuk e bënë të njëjtën gjë me bordin e naftës.

3 çështjet e mësipërme kanë qenë mjaft të rëndësishme për Kryeministrin Rama, pasi i ka përdorur ato në fushata, siç është rasti i Portit të Durrësit, dhe e ka trajtuar atë si një projekt ku shefi i qeverisë është investuar personalisht.

E njëjta gjë vlen edhe për vendimin e Këshillit të Ministrave, ku Edi Rama e përdori atë për të goditur kundërshtarët e tij, por nga ana tjetër legalizoi pallate pa leje, duke përdorur dy standarde. Po ashtu në këtë çështje, Rama është investuar personalisht.

Çështja e tretë, Bordi i Karburanteve, gjithashtu ka qenë një kalë betejë për kreun e qeverisë, pasi për një kohë të gjatë, ai e përdori këtë organizëm, për të qetësuar protestat qytetare që nisen si pasoje e rritjes se çmimeve.

Për të treja këto vendime, Gjykata ka vendosur në favor të Qeverisë shqiptare.

Shqiptarët qëndruan për rreth 2 vite e gjysmë pa Gjykate Kushtetuese, me arsyetimin se drejtësia e re do i jepte vendit një trupë të pakapur nga politika, korrupsioni, nepotizmi dhe që do të jepte vendime të pandikuara.

Por a kemi ne sot një Gjykate Kushtetuese të pandikuar nga politika dhe qeveria shqiptare?

News24 ka mësuar fakte të lidhjeve të Qeverisë Shqiptare me Drejtuesen e Gjykatës Kushtetuese. Behet fjalë për Drejtoren e Kabinetit të Kryetares së Gjykatës Holta Zaçaj, e cila pas marrjes së detyrës në 20 shkurt 2023, ka punësuar në këtë post Vilma Premtin. Vilma Premti prej shkurtit të vitit 2022, ka qenë Drejtore e Kabinetit të Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Më pas, sipas burimeve për News24, Premti ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante në qeverinë shqiptare në prill të këtij viti, vetëm pak kohë pasi Holta Zaçaj ka marrë postin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, për t’u bërë Drejtorja e saj e Kabinetit.

Drejtorët e Kabinetit janë personat më të afërt me titullarët. Nga një vëzhgim në rrjetet sociale, Vilma Premti ka qene mjaft aktive, duke shpërndarë vazhdimisht statuset e Ministres Elisa Sapiropali, duke dhënë pëlqime në statuset e Kryeministrit Edi Rama, madje edhe të bashkëshortes se tij, Linda Rama.

News24 ngre disa pyetje në lidhje me emërimin e Vilma Premtit në Gjykatën Kushtetuese:

A është në etikën e kësaj gjykate dhe Kryetares së këtij institucioni që si drejtore të saj të Kabinetit të punësojë një nëpunëse politike të qeverisë së Kryeministrit Rama?

A ndikon pozicioni i saj i mëparshëm si drejtore e kabinetit në Ministrinë e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, në trajtim të njëanshëm të çështjeve në pozicionin e ri që ka marrë në Gjykatën Kushtetuese?

A e dinte znj. Holta Zaçaj që znj.Vilma Premti ka qenë nëpunëse politike e rëndësishme në Qeverinë Rama?

A e dinë garantët ndërkombëtarë të Reformës në Drejtësi se drejtorja e kabinetit të kryetares së Gjykatës Kushtetuese është një nëpunëse politike që deri para emërimit të Holta Zaçajt figuronte në borderonë e Kryeministrisë?

News24 u interesua pranë Gjykatës Kushtetuese ku kërkoi CV-te e stafit të Kryetares Holta Zacaj, por që institucioni u përgjigj se CV-të do dërgoheshin kur të publikohen në faqen zyrtare.

Punësimi i personave të cilët kanë pasur aktivitet politike në qeverinë e Kryeministrit Rama hedhin dyshime te forta mbi aktivitetin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj dhe vendimarrjeve të kësaj trupe./BW

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re