Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë konverguar në qëndrimet ndaj sjelljes së Kinës, të cilën Uashingtoni e konsideron agresive dhe të dhunshme.

Sekretari i Shtetit i SHBA Anthony Blinken dhe zyrtarët e lartë të BE ranë dakord në Bruksel të mërkurën për të filluar një dialog SHBA-Evropë mbi Kinën “për të diskutuar një sërë sfidash dhe mundësish të koordinuara”, sipas kryediplomatit europian Josep Borrell.

Blinken tha se ai dëshironte të punonte me partnerët e SHBA për të “gjetur mënyra për të përparuar interesat e përbashkëta ekonomike dhe për t’iu kundërvënë disa lëvizjeve agresive dhe të dhunshme të Kinës”.

Pas takimit me Blinken, Borrell tha se të dy palët “ndajnë një vlerësim të rolit të Kinës si një partner, konkurrent dhe rival sistemik”, ndërsa Blinken vuri në dukje rëndësinë e aleancave dhe partneriteteve ndërkombëtare për administratën e Presidentit të SHBA Joe Biden.

BE është partneri më i madh tregtar i Kinës, por të dy palët janë gjithashtu konkurrentë seriozë ekonomikë.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania dhe Kanadaja ngrinë pasuritë të hënën dhe ndaluan hyrjen në vend të një grupi zyrtarësh kinezë nga rajoni Xinjiang, ndërsa Pekini u hakmor me sanksione kundër dhjetë evropianëve, përfshirë ligjvënësit dhe akademikët, dhe katër institucione.

Blinken u takua me ministrat e jashtëm të NATO-s më herët të mërkurën në selinë e NATO-s, duke u thënë atyre se aleatët janë “shumë më të fortë dhe më të efektshëm kur veprojnë së bashku sesa secili prej tyre vetëm”.

Blinken tha se “Shtetet e Bashkuara nuk do të detyrojnë aleatët të zgjedhin ‘ne ose ata’ kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Kinën”.

Megjithëse paralajmëroi për sjelljen kërcënuese të Kinës, Blinken tha se kjo nuk do të thotë që vendet nuk mund të bashkëpunojnë me Kinën kur është e mundur, për shembull për çështje të tilla si ndryshimi i klimës dhe siguria shëndetësore.

Blinken vuri në dukje agresionin ushtarak të Kinës dhe, tha ai, “përpjekjet e saj për të kërcënuar lirinë e lundrimit, për të vepruar ushtarakisht në Detin e Kinës Jugore, për të synuar vendet në të gjithë rajonin Indo-Paqësor me aftësi ushtarake gjithnjë e më të sofistikuara”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se aleanca “nuk e konsideron Kinën një armik”, por shtoi se ngritja e Kinës “ka pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë” e aleatëve, duke vënë në dukje se Pekini po investon shumë në pajisjet ushtarake.

“Eshtë edhe më e rëndësishme që Kina të jetë një vend që nuk ndan vlerat tona,” tha Stoltenberg.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re