Ivanka Trump ka vendosur të tërhiqet nga politika amerikane dhe nuk do t’i bashkohet përpjekjes së babait të saj për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, pasi ajo ka vendosur t’i japë përparësi familjes.

Donald Trump shpalli kandidaturën e tij për presidencën amerikane nga Partia Republikane në 2024 nga resorti i tij Mar-a-Lago në Florida. Anëtarët e familjes së tij, duke përfshirë gruan Melanie dhe djalin Eric, ishin të pranishëm. Edhe bashkëshorti i Ivankës, Jared Kushner, ishte i pranishëm kur Trump shpalli kandidaturën e tij, por Ivanka jo.

“Unë e dua babanë tim, por këtë herë do t’u jap prioritet fëmijëve dhe jetës private që krijojmë si familje. Nuk kam në plan të angazhohem në politikë”, tha Ivanka Trump, duke shtuar se në të ardhmen do ta mbështesë babain e saj jashtë arenës politike.

Ivanka Trump dhe Jared Kushner luajtën role kyçe në administratën Trump, por që kur Donald Trump humbi nga Joe Biden në vitin 2020, Ivanka Trump dhe familja e saj janë zhvendosur në një rezidencë të shtrenjtë në Florida.

Ajo kohët e fundit dëshmoi para Komitetit të 6 janarit, një organ i posaçëm që hetonte trazirat në Capitol në vitin 2021, në të cilën mbështetësit ekstremistë të Trump u përpoqën të sfidonin humbjen e tij në zgjedhje, shkruan The Guardian.

Ivanka Trump ishte me babanë e saj në Shtëpinë e Bardhë atë ditë dhe është një nga më shumë se 800 dëshmitarët e intervistuar nga Komiteti. Kongresmeni Bennie Thompson, kryetar i komitetit, e përshkroi dëshminë e saj si jo “llafazane” por të dobishme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re