Edhe pse vlera e bonusit për mjekët dhe pjesën tjetër të personelit shëndetësor që është në vijën e parë të zjarrit, në përballjen me COVID-19, ka mbetur e njëjtë, qeveria ka vendosur të shtojë filtrat.

Një strukturë e posaçme me përfaqësues nga disa institucione do të vlerësojë nivelin e riskut dhe ngarkesën e bluzave të bardha dhe do të hartojë çdo muaj listat e përfituesve që do të vijojnë të marrin krahas pagës edhe shpërblimin.

VENDIMI
Ndryshimet janë bërë në mbledhjen e fundit të qeverisë, ku ka kaluar për miratim edhe vendimi “Për dhënie shpërblimi për personelin mjekë, infermierë dhe punonjës të tjerë”.

Sipas kësaj nisme, lista e përfituesve dhe dokumentacioni justifikues miratohet bazuar në analizën e shkallës së ngarkesës së veprimtarisë dhe të riskut që mbart aktiviteti i strukturës shëndetësore e cila vlerësohet nga sekretariati, shkruan panorama.

Kjo strukturë e re, e cila do të nis nga puna këtë muaj, do të përbëhet nga 2 përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, 1 përfaqësues nga Instituti i Shëndetit Publik, 1 përfaqësues nga Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor dhe një përfaqësues nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

SHPËRBLIMI
Përmes vendimit të miratuar në mars të 2020, personeli mjekësor, specialistët e shëndetit publik që merren me epidemiologjinë, infermierët dhe specialistët e shërbimit laboratorik të angazhuar në diagnostikimin dhe trajtimin mjekësor të personave të prekur me COVID-19 marrin çdo muaj një bonus në vlerën e 125 mijë lekëve.

Prej gati dy vitesh me shpërblim trajtohen edhe personeli mbështetës, i angazhuar në institucionet ku trajtohen pacientët e infektuar, por vlera e çekut për këtë kategori është 65 mijë lekë.

Në 24 orë, 6 humbje jete nga COVID-19
Vijojnë të jenë të larta shifrat e infeksionit në vend. Të mërkurën janë regjistruar 2643 persona të prekur nga 7859 testime të kryera, duke e çuar në rreth 23 mijë numrin e të infektuarve aktivë. Përveç rasteve të reja, janë rritur edhe fatalitetet si pasojë e COVID-19. Në harkun e 24 orëve janë shënuar 6 humbje jete të grupmoshave 66-85 vjeç.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re