Avokati Jordan Daci është shprehur se Bordin e Transparencës mund të vijojë edhe për një kohë të gjatë, megjithëse sipas tij bie ndesh me ekonominë e tregut.

Komentet Daci i bëri gjatë një interviste për Panorama TV, ku komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Bordin e karburanteve, që sipas tij, ja kalon në kompentencë Këshillit të Ministrave që të vendosë për shfuqizimin ose jo të tij.

Ai komentoi edhe situatën kriminale në vend, që sipas tij është tejet e rëndë.

Daci tha se po vriten njerëz në mes të rrugëve dhe në lokale dhe kërkoi që shoqëria të reagojë dhe të mos presë që e keqja të shkojë në derë të tyre.

“Nuk është vendosur shfuqizimi i bordit. Kjo kompetencë i është kaluar Këshillit të Ministrave dhe do të jetë qeveria që do të vendosë se kur do të mund të shfuqizohet bordi.

Besoj se ne do të vijojmë ta shohim gjatë bordin, megjithëse bie ndesh me ekonominë e tregut, sepse nuk imponon ekonomi të lirë e të ndershme. Gjykata Kushtetuese ka një rol më të kufizuar kur një kërkesë depozitohet nga deputetët. Në rastin e vënies në lëvizje nga deputetët, është e lidhur me pretendimet e palës. Ajo çfarë mund të them në përgjithësi, është se vendet si Shqipëria nuk mund t’i shpëtojë Gjykata Kushtetuese. Ulja e ndërgjegjes juridike në të gjithë shoqërinë, jo vetëm në sistemin e drejtësisë, ka bërë që problematikat të rriten.

Do të duhen të paktën 5-6 vite që ekuilibrat tanë kushtetues të vendosen. Nuk është Gjykata Kushtetuese shkopi magjik. Qytetarët tanë janë pasiv dhe sa më pasiv të jetë popullsia aq më shumë livadhis qeveria.

Lufta e Ukrainës mund të zgjasë edhe 10 vite, kjo nuk do të thotë që ne do të rrimë edhe 10 vite pa ekonomi tregu. Por unë nuk mund të flas pa dëgjuar interpretimin e gjykatës.

Unë nuk mendoj se mund t’i bëhet presion Gjykatës Kushtetuese. Asnjë prej atyre që janë atje unë mendoj se nuk janë njerëz pa karakter dhe besoj se janë të lirë në vendimmarjen e tyre. Unë mendoj se Gjykata Kushtetuese ka bërë një shërbim të mirë ndaj vendit. Mbetet një institucion që meriton respekt maksimal. Jo gjithmonë ajo që pret publiku është ajo që vendos Gjykata Kushtetuese. Por për mua mendoj se Gjykata Kushtetuese ka vepruar shumë mirë për situatën kaotike ku ndodhemi.

Situata kriminale është tejet shqetësuese. Tek ne këto ngjarje kriminale po bëhen të dukshme. Shqipëria po shfaq një anë shumë të keqe të saj, që do të na dëmtojë edhe në aspektin e Turizmit dhe në shumë aspekte të tjera. Të vriten njerëzit haptas në mes të rrugës e në lokale, është një çështje shqëtësuese. Kjo çështje duhet të ishte prioritet i çdo partie dhe duhet të rigjendej ekuilibri mes forcave politike. Nuk mund të vijojmë të presim që viktima e radhës të jetë ose afër nesh, ose vetë ne. Prej vitesh ne furnizojmë botën me individë të krimit të organizuar.

Në aspektin e vendit tonë, mungon një qasje, një frymë, nga qendra e deri poshtë për të luftuar krimin. Kemi injoruar komplet sistemin arsimor dhe merremi me budallallëqe”

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re