Ballina SHENDETI Vendimi i përgjegjshëm i këshilltarëve bashkiakë të Prrenjasit që shpëtoi lumin Bushtrica

Vendimi i përgjegjshëm i këshilltarëve bashkiakë të Prrenjasit që shpëtoi lumin Bushtrica

2

Denisa Canameti

Një muaj me parë Këshilli i Bashkisë së Prrenjasit votoi 99% kundër ndërtimit të Hec 3 në lumin Bushtrica. Ky është një rast i paprecedent në vendimmarrjen e këshillave bashkiakë ku këshilltarët njëzëri votojnë pro interesave të banorëve në mbrojtje të zonës së tyre.

Këshillat bashkiakë në 61 bashkitë e vendit përbëhen nga anëtarë të propozuar nga partitë politike dhe të zgjedhur nëpërmjet sistemit propocional nga votuesit banorë të zonës. Por, deri më sot, vendimet e miratuara nga këshilltarët vendorë kanë anuar dukshëm jo nga interesi i komunitetit por, ose nga orientimet dhe interesat partiake të secilit prej tyre, ose, në jo pak raste, edhe nga marrëdhënie klienteliste të të zgjedhurve me persona apo grupime që përfaqësojnë interesa të caktuara ekonomike. Këshilltarët lokalë edhe pse të zgjedhur nga komuniteti i zonës përkatëse nuk e kanë ndjerë pothuaj asnjëherë përgjegjësinë ndaj votuesve të tyre dhe me vendimmarrjet e tyre kanë ndikuar negativisht në zhvillimin e zonës dhe në jetesën e vetë banorëve të saj.

Kjo është arsyeja që vendimmarrja e fundit e këshilltarëve të Bashkisë së vogël të Prrenjasit konsiderohet si një ogur shumë i mirë. Me këtë vendim, Këshilli i Bashkisë Prrenjas ka sjell një shembull pozitiv të përgjeshmërisë ndaj komunitetit dhe pasurive të zonës. Edhe pse ky vendim kaloi pothuaj në heshtje në të gjithë shtypin shqiptar ai u përshëndet nga organizatat mjedisore të cilat kanë ngritur shqetësimin e dëmtimit të ekosistemit të zonës nga investime të tilla abuzuese që nuk marrin në konsideratë rrezikun e dëmtimit të  mjedisit.

“Një vendim shumë i drejtë për faktin se degradimi i ekosistemit natyror të lumit Bushtrica do të sjellë një katastrofë të parikuperueshme mjedisore”, deklaron organizata mjedisore Albnatyra Org në faqen e saj.

Në vitin 2017 ishte Qeveria shqiptare që nëpërmjet një vendimi të posacëm anulloi ngritjen e një tjetër HEC Bushtrica 4. Duke komentuar vendimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për anullimin e koncesionit, mediat më të mëdha në vend e konsideruan një vendim të detyruar nga presioni i ushtruar ndaj autoriteteve shqiptare nga UNESCO, pasi Bushtrica kalon në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë që është edhe pjesë e Trashëgimisë Botërore mbrojtur nga UNESCO.

Pesë vite më parë ambientalistët dhe ngritën shqetësimin se parashikimi i ngritjes së 4 heceve mbi lumin Bushtrica, një nga tre lumenjtë e vetëm në vend ku praktikohet sporti i raftingut, rrezikonte seriozisht shkatërrimin e biodiversitetit të tij dhe të të gjithë zonës në të cilën kalon. Në prill 2017, qeveria hapi tenderin për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe shfrytëzimit të hidrocentraleve Bushtrica 1 dhe Bushtrica 2 dhe pak muaj më vonë edhe për Bushtrica 3 dhe Bushtrica 4.

Tashmë lumi Bushtrica i ka fituar dy beteja dhe banorët e Parkut mendojnë se edhe për vitet e ardhshme Bushtrica do të vazhdojë të tërheqë turistë të shumtë si një nga pasuritë e Parkut të UNESCO dhe si një nga të paktët lumenj që ofron mundësinë e praktikimit të sportit të raftingut. Por sfidat janë ende të mëdha për mbrojtjen e Bushtricës. Ekspertët mjedisorë prej vitesh artikulojnë shqetësimin se rrjedha e lumit të Bushtricës prej kohësh vuan nga problematika të tilla si ndotja nga derdhja e mbetjeve urbane, ujrat e zeza, plehrat kimike dhe organike, gjuetia e paligjshme, erozioni dhe prerja e pyjeve, mungesa e investimeve ne reabilitimin e siperfaqeve te zhveshura, mungesa e nje studimi shkencor mbi vlerat qe mbart ky ekosistem etj.

Këtë muaj Parku Shebenik-Jabllanicë feston 14- vjetorin e shpalljes si pasuri natyrore e UNESCO dhe ky përvjetor do ta gjejë me një fitore më shumë. Tashmë të gjithë aktorët janë ndërgjegjësuar dhe po bëhen bashkë për mbrojtjen dhe zhvillimin e zonës dhe të çdo pasurie pjesë të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë/