Gjykata e Rrethit Durrës ka vendosur sot t’i njohë mandatin kandidates për Kryetare të Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako.

Gjykata është vënë në lëvizje pas kërkesës së Partisë Socialiste, e cila kërkoi vërtetimin e mandatit të kryebashkiakes së Durrësit.

Edhe pse po kjo gjykatë u shpreh kundër vërtetimit të mandatit, sot, gjyqtari Shpëtim Reka ka vendosur të kundërtën.

Në argumentet e përdorura nga gjyqtari theksohet se nuk vendimi i dhënë më datë 17 po nga Gjykata e Durrësit nuk ka hyrë në fuqi.

“Duke qenë se nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës është dhënë një vendim mbi kërkesën e Znj.Valbona Sako për vërtetimin e mandati të saj si Kryetare e Bashkisë Durrës, fillimisht gjykata vlerëson të analizojë nëse ekziston ndonjë pengesë ligjore për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Partia Socialiste e Shqipërisë për vërtetimin e mandatit të Znj.Valbona Sako si Kryetare e Bashkisë Durrës. Kjo do të thotë që kjo gjykatë duhet të analizojë nëse kërkesa përbën „të njëjtën çështje në gjykim“ apo përbën „gjë të gjykuar“ në kuptim të neneve 58 dhe 451/a të K.Pr.Civile, situata këto të cilat do të përbënin respektivisht shkak për pushimin e gjykimit (litispendenca) apo rrëzimin e kërkesës (gjëja e gjykuar)”, thekson vendimi i gjyqtarit Shpëtim Reka.

Në vendim thuhet se “në shqyrtimin e kërkesës së paraqitur gjykata çmon të rëndësishme të theksojë rolin e saj në këtë proces. Në analizën e këtij elementi gjykata i referohet parashikimeve të nenit 60/1 të Ligjit Nr.139/2015 cituar më sipër dhe dispozitave të Kodit Zgjedhor në lidhje me kompetencat e organeve administrative e gjyqësore të përfshira në procesin zgjedhor. Referuar këtyre dispozitave rezulton se roli i gjykatës së rrethit gjyqësor në vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë është verifikimi i plotësimit të kushteve formale të aktit që ka shpallur fitues kryetarin e bashkisë.

Në këtë përfundim gjykata arrin si bazuar në përmbajtjen gjuhësore të vetë nenit 60/1 të Ligjit Nr.139/2015, ashtu edhe në parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Kodit Zgjedhor në lidhje me kompetencat e organeve që shqyrtojnë hapa të ndryshëm të procesit të votimit.

Kështu kompetenca që neni 60/1 i Ligjit Nr.139/2015b i ka dhënë gjykatës së rrethit gjyqësor (dhomës civile) është vërtetimi i mandatit të kryetarit të bashkisë, pa përkufizuar se çfarë do të nënkuptojë ky proces. Një përkufizim apo sqarim i termit „vërtetim“ nuk rezulton as në Relacionin për projektligjin „Për vetëqeverisjen vendore“, në të cilin për nenin 60 të ligjit jepet shpjegimi: „Neni 60 përcatkon procedurat e vërtetimit dhe marrjes së mandatit nga kryetari i bashkisë që ka fituar zgjedhjet“.

Vendimi i plotë

Sot më datë 19/07/2019 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen civile që i përket :

Kërkues PARTIA SOCIALISTE E SHQIPERISE

Objekti:Vërtetimin e mandatit të Kryetarit të Bashkise Durrës, Znj.Valbona Sako, per zgjedhjet per organet e qeverisjes vendore (Kryetar Bashkie) të dates 30.06.2019, sipas Vendimit Nr.944, dt.05.07.2019 te KQZ-së.

Baza Ligjore:Ligj Nr.139/2015 “Per vetqeverisjen vendore”, neni 60, pika 1 Kodi i Procedures Civile, Kodi Zgjedhor i Republikes së Shqipërisë Gjykata konstaton kryesisht se çështja bën pjesë në juridiksionin e saj sipas përcaktimeve të nenit 36 e vijues të Kodit të Procedurës Civile dhe se në bazë të neneve 41 e 42 e vijues të Kodit të Procedurës Civile ajo është kompetente për gjykimin e saj. Në seancën e datës 19.07.2019 të caktuar për gjykimin e çështjes gjykata;

VEREN :

Kërkuesi Partia Socialiste e Shqipërisë është një parti politike, e regjistruar në Zyrën e Rregjistrimit të Partive Politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me Urdhërin nr.36/1, dt.15/08/1991 të Ministrit të Drejtësisë. Me Vendimin Nr.148, dt.11/04/2019 të KQZ kjo parti është regjistruar si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30/06/2019.
Më pas, sipas marrëveshjes politike të arritur me subjekteve politike, Partia Socialiste e Shqipërisë ka marrë pjesë në koalicionin zgjedhor „Aleanca për Shqipërinë Europiane“ dhe me Vendimin e KQZ Nr.251, dt.07/05/2019 ky koalicion është regjistruar si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30/06/2019, duke regjistruar si kandidate të tij për Kryetare të Bashkisë Durrës Znj.Valbona Sako dhe listën për kandidatët e Këshillit Bashkiak, referuar parashikimeve të nenit 67/3 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton:

„Në zbatim të paragrafit të dytë, të pikës 1, dhe të paragrafit të dytë, të pikës 2, të këtij neni, kandidati për kryetar bashkie dhe listat për këshillin e bashkisë, territori i të cilave nuk mbulohet nga një KZAZ e vetme, regjistrohen në KQZ“. Regjistrimi i Znj.Sako si kandidate për Kryetare të Bashkisë Durrës është kryer me Vendimin Nr.398, dt.15/05/2019 të KQZ „Për regjistrimin e kandidatit për kryetar të Bashkisë Durrës të propozuar nga koalicioni „Aleanca për Shqipërinë Europiane“ Znj.Valbona Simo Sako për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 Qershor 2019“.
Pas përfundimit të procesit të votimit të zgjedhjeve të datës 30 Qershor 2019, me Vendimin Nr.944, dt.05.07.2019 KQZ ka miratuar

Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit për Zgjedhjet për Kryetar Bashkie Durrës, duke shpallur fituese Znj.Valbona Sako si kandidate të propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Nga vërtetimi lëshuar nga KQZ provohet se ndaj këtij vendimi nuk është ushtruar ankim brenda afatit ligjor të parashikuar nga Kodi Zgjedhor, duke bërë që Vendimi Nr.944, dt.05.07.2019 i KQZ të jetë i formës së prerë dhe përfundimtar.
Mbi bazën e Vendimit të mësipërm të KQZ dhe referuar parashikimeve të nenit 60 të Ligjit Nr.139/2015 „Për vetëqeverisjen vendore“ (i ndryshuar), në datën 18/07/2019 subjekti Partia Socialiste e Shqipërisë, si pjesë e koalicionit zgjedhor „Aleanca për Shqipërinë Europiane“, ka paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës kërkesë për vërtetimin e mandatit të Znj.Valbona Sako si Kryetare e Bashkisë Durrës.

Bazuar në parashikimet e pikës 12/2 të nenit 5 të Rregullores së Brendshme Administrative të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, me shkresën Nr.48 Prot., dt.18/07/2019 nga ana e sekretarisë së gjykatës është kryer njoftimi se një kërkesë me objekt vërtetimin e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Durrës, por me kërkuese Znj.Valbona Sako, është gjykuar me Vendimin Nr.(11-201904127) 175, dt.17/07/2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Sipas Vërtetimit Nr.196 P.B., dt.19/07/2019 të Kryesekretarisë së gjykatës rezulton se ky vendim nuk ka marrë ende formë të prerë për shkak të mospërfundimit ende të afatit të ankimit dhe se deri në këtë datë ndaj tij nuk është ushtruar ankim.

Pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Partia Socialiste e Shqipërisë, provave bashkëlidhur saj dhe Vendimit Nr.(11-201904127) 175, dt.17/07/2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, si dhe referuar interesit publik që paraqet kjo çështje, gjykata çmon se në shqyrtimin e besueshmërisë së kërkesës së paraqitur është e rëndësishme që nga ana e saj të analizohen edhe elementët e mëposhtëm:

A ekziston ndonjë pengesë procedurale formale që do të ndalonte këtë gjykatë të shqyrtonte kërkesën e paraqitur, siç janë ndodhja në shqyrtim në të njëjtën gjykatë apo gjykata të ndryshme e të njëjtës çështje me të njëjtin kërkues, objekt kërkimi dhe shkak ligjor apo ekzistenca e një vendimi gjyqësor të formës së prerë për të njëjtën çështje, me të njëjtin kërkues, objekt dhe shkak ligjor, sipas neneve 58 dhe 451/a të K.Pr.Civile?
A legjitimohet kërkuesi Partia Socialiste në paraqitjen e kërkesës për vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë fitues në zgjedhjet vendore sipas nenit 60 të Ligjit Nr.139/2015 „Për vetëqeverisjen vendore“?
A ka kompetencë lëndore dhe materiale Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës në shqyrtimin e kërkesës sipas nenit 60 të Ligjit Nr.139/2015 „Për vetëqeverisjen vendore“?
Cili është roli dhe funksioni i gjykatës në shqyrtimin e kërkesës për vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë sipas nenit 60 të Ligjit Nr.139/2015 „Për vetëqeverisjen vendore“?

Duke qenë se nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës është dhënë një vendim mbi kërkesën e Znj.Valbona Sako për vërtetimin e mandati të saj si Kryetare e Bashkisë Durrës, fillimisht gjykata vlerëson të analizojë nëse ekziston ndonjë pengesë ligjore për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Partia Socialiste e Shqipërisë për vërtetimin e mandatit të Znj.Valbona Sako si Kryetare e Bashkisë Durrës. Kjo do të thotë që kjo gjykatë duhet të analizojë nëse kërkesa përbën „të njëjtën çështje në gjykim“ apo përbën „gjë të gjykuar“ në kuptim të neneve 58 dhe 451/a të K.Pr.Civile, situata këto të cilat do të përbënin respektivisht shkak për pushimin e gjykimit (litispendenca) apo rrëzimin e

kërkesës (gjëja e gjykuar).

 

Neni 451/a i K.Pr.Civile, i cili rregullon edhe parimin e „gjësë së gjykuar“ (res judicata) përcakton se: „Vendimi që ka marrë formë të prerë është i detyrueshëm për palët, për trashëgimtarët e tyre, për personat që heqin të drejta nga palët, për gjykatën që ka dhënë vendimin dhe për të gjitha gjykatat dhe institucionet e tjera. Vendimi që ka marrë formë të prerë ka fuqi vetëm për çka është vendosur midis po atyre palëve, për të njëjtin objekt dhe për të njëjtin shkak. Një konflikt që është zgjidhur me vendim të formës së prerë nuk mund të gjykohet

përsëri, përveç kur ligji parashikon ndryshe.„ Sipas këtij neni dhe jurisprudencës së Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese mbi gjënë e gjykuar, e njëjta çështje nuk mund të gjykohet sërish nga një gjykatë tjetër nëse plotësohen njëherazi këto kushte:

– çështja i referohet të njëjtave palë;

– çështja ka të njëjtin objekt kërkimi;

– çështja ka të njëjtin shkak ligjor;
– vendimi i gjykatës mbi çështjen është i formës së prerë.

Nëse këto kushte plotësohen njëherazi gjykata duhet të vendosë rrëzimin e padisë. Mjafton të mos plotësohet njëri nga këta elementë që të mos ndodhemi përpara „gjësë së gjykuar“. Në rastin në shqyrtim rezulton që veç objektit të kërkimit (vërtetimi i mandatit të Znj.Valbona Sako si Kryetare e Bashkisë Durrës), asnjë prej elementëve të tjerë të mos plotësohet, pasi:

– kërkuesi në rastin në shqyrtim është i ndryshëm nga ai në kërkesën e shqyrtuar në
Vendimin Nr.(11-201904127) 175, dt.17/07/2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ku kërkuese ka qenë

Znj.Valbona Sako, ndërsa në këtë gjykim kërkuese është Partia Socialiste e Shqipërisë;

– Shkaku ligjor i kërkimit është i ndryshëm, pasi në kërkesë subjekti politik Partia Socialiste e Shqipërisë ka bazuar kërkimin e saj në interesin e ligjshëm si pjesë e koalicionit zgjedhor, të cilit i përket kandidatja fituese për Kryetare e Bashkisë Durrës dhe interesit politik të këtij subjekti për fillimin e ushtrimit të mandatit nga kandidati fitues përkatës;

– Vendimi Nr.(11-201904127) 175, dt.17/07/2019 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës nuk ka marrë formë të prerë, provuar nga Vërtetimi Nr.196, dt.19/07/2019 i Kryekretarisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Nga sa mësipër gjykata arrin në përfundimin se nuk ndodhemi në kushtet e „gjësë së gjykuar“ sipas nenit 451/a të K.Pr.Civile.

Nga ana tjetër, neni 58 i K.Pr.Civile parashikon: „Kur në të njëjtën gjykatë ose gjykata të ndryshme shqyrtohen në të njëjtën kohë mosmarrëveshje midis të njëjtave palë dhe kanë të njëjtin shkak e të njëjtin objekt, vendoset pushimi i gjykimit të mosmarrëveshjeve të paraqitura pas asaj të regjistruar më parë“. Për t’u ndodhur përpara „të njëjtës çështjeje“ (litispendenca) sipas këtij neni duhet të në të njëjtën gjykatë apo në gjykata të ndryshme të ndodhen për shqyrtim njëkohësisht dy ose më shumë çështje të cilat:

– kanë të njëjtat palë;

– kanë të njëjtin objekt kërkimi;

– kanë të njëjtin shkak ligjor.

Nëse këto kushte plotësohen njëherazi gjykata duhet të vendosë pushimin e gjykimit të çështjes/çështjeve të paraqitur(a) pas çështjes së parë. Mjafton një nga kushtet e mësipërme të mospërmbushet për të mos u ndodhur përpara „të njëjtës çështje në gjykim“.

Bazuar në dispozitën e mësipërme Gjykata vlerëson se kërkesa për të cilën Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës është shprehur me

Vendimin Nr.(11-201904127) 175, dt.17/07/2019 dhe kërkesa në këtë gjykim nuk përbëjnë „të njëjtën çështje“ sipas nenit 58 të K.Pr.Civile, pasi veç objektit të kërkimit (vërtetimi i mandatit të kryetarit të Bashkisë Durrës), si kërkuesit, ashtu edhe shkaku ligjor i kërkimeve janë të ndryshëm.
Në përfundim të kësaj analize gjykata arrin në konkluzionin se nuk ekzistojnë pengesa procedurale që do të pengonin shqyrtimin nga ana e saj të kërkesës së Partisë Socialiste të Shqipërisë për vërtetimin e mandatit si Kryetare e Bashkisë Durrës të Znj.Valbona Sako.

Pas këtij përfundimi gjykata çmon se prej saj duhet të shqyrtohet legjitimimi i Partisë Socialiste të Shqipërisë në paraqitjen e kërkesës për vërtetimin e mandatit të kryetari të bashkisë, kompetenca lëndore dhe tokësore e gjykatës dhe roli i saj në këtë proces.

Për të analizuar legjitimimin e kërkuesit në proces gjykata i referohet nenit 60 të Ligjit Nr.139/2015 „Për vetëqeverisjen vendore“ (i ndryshuar) i cili parashikon: „

Mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata e rrethit gjyqësor, (dhoma civile) në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij.”. Siç shihet kjo dispozitë megjithëse përcakton në mënyrë të detajuar organin kompetent për vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë dhe afatin brenda të cilit kryhet ky vërtetim, nuk tregon shprehimisht subjektin që legjitimohet të paraqesë kërkesën për vërtetimin e mandatit.Konkretisht sa i përket kompetencës, jo vetëm dispozita ka përcaktuar qartë kompetencën lëndore dhe tokësore të gjykatës që shqyrton kërkesën, duke u shprehur se kërkesa shqyrtohet nga dhoma civile e gjykatës së rrethit gjyqësor, por në çdo rast nuk do të kishte asnjë ekuivok në lidhje me kompetencën lëndore përsa kohë gjykatat administrative janë krijuar me Ligjin Nr.49/2012 „Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative“, i cili është një ligj i mëparshëm nga Ligji Nr.139/2015 „Për vetëqeverisjen vendore“.

Nëse ligjvënësi do donte t’i kalonte kompetencën lëndore për vërtetimin e kryetarit të bashkisë gjykatave administrative, do të kishte bërë një parashikim të tillë konkret në Ligjin Nr.139/2015. Në të kundërt, fakti që rregullimi i ligjvënësit është i detajuar në nenin 60 të këtij ligji (lloji i gjykatës dhe dhoma përkatëse) tregon qartësisht qëllimin e ligjvënësit që kërkesa për vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë të

shqyrtohet nga gjykatat e rretheve gjyqësore, dhoma civile. Po kështu, në lidhje me kompetencën territoriale ligjvënësi ka qenë eksplicit, duke u shprehur se ajo i përket gjykatës së rrethit gjyqësor në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, e cila në rastin konkret është pikërisht Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Ndryshe nga ky detajim, ligjvënësi ka heshtur sa i përket subjektit të legjitimohet të kërkojë vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë, duke mos përcaktuar ndonjë kufizim. Në praktikën e zakonshme të zgjedhjeve të organeve të qeverisjes vendore, si kërkues paraqitet kandidati fitues për kryetar bashkie, të cilin gjykatat në çdo rast e kanë legjitimuar duke vlerësuar se ka një interes të ligjshëm në paraqitjen e kërkesës. Ndërkohë përsa kohë dispozita nuk përcakton shprehimisht subjektin që duhet të paraqesë kërkesën për vërtetimin e mandatit, në përcaktimin e legjitimimit dhe interesit të ligjshëm në këtë kërkim gjykata i referohet rregullave të përgjithshme të përcaktuara në nenin 32 të K.Pr.Civile, i cili përcakton:
“Padia mund të ngrihet: a) për të kërkuar rivendosjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm që është shkelur; b) për vërtetimin e qenies ose mosqenies së një marrëdhënieje juridike ose një të drejte; c) për njohjen e vërtetësisë ose pavërtetësisë së një dokumenti me pasoja juridike për paditësin” dhe parashikimeve të Kodit Zgjedhor në lidhje me legjitimin në kërkime të kandidatëve, partive politike dhe koalicioneve zgjedhore.
Në rastin konkret kërkuesi ka paraqitur në gjykatë kërkesë për të vërtetuar mandatin e kryetarit të bashkisë së kandidatit të tij fitues, pra vërtetimin e ekzistencës së të drejtës si kryetar bashkie, duke bërë që kërkesa e tij të përfshihet në parashikimet e nenit 32/b të K.Pr.Civile.
Gjykata vlerëson se Partia Socialiste e Shqipërisë, duke qenë pjesë e koalicionit zgjedhor që ka regjistruar kandidaturën e Znj.Valbona Sako për Kryetare të Bashkisë Durrës, legjitimohet të kërkojë nga gjykata vërtetimin e mandatit të saj si Kryetare Bashkie në kuptim të nenit 32/b të K.Pr.Civile, nenit 60 të Ligjit nr.139/2015 „Për vetëqeverisjen vendore“ dhe neneve 60 e vijues të Kodit Zgjedhor.

Në vlerësimin e gjykatës në ato raste që kandidati për kryetar bashkie regjistrohet në KZQ si kandidat i një subjekti politik, legjitimimin për të kërkuar vërtetimin e mandatit e ka si vetë kandidati, ashtu edhe nga partia, koalicioni apo partitë politike përkatëse. Ky përfundim rezulton si nga interpretimi literal e sistematik i nenit 60 të Ligjit Nr.139/2015 në raport me dispozitat e tjera të këtij ligji, ashtu edhe nga

parashikimet e nenit 60/1, 2 dhe 3 të Kodit Zgjedhor të cituar mësipër, i cili parashikon se kandidati për kryetar bashkie i propozuar nga një subjekt politik apo koalicion partish regjistrohet në KZAZ apo KQZ nga partia politike apo koalicioni përkatës.

Për rrjedhojë, do të ishte nonsens që partia politike apo koalicioni përkatës të konsiderohej se nuk ka interes të ligjshëm në kërkimin për vërtetimin e mandatit të

kryetarit të bashkisë. I njëjti qëndrim në lidhje me legjitimimin si të partisë politike (pjesëtare ose jo e një koalicioni) ashtu edhe të vetë kandidatit parashikohet

edhe në Kodin Zgjedhor, si psh në nenin 124/1, ku përcaktohet: „Çdo parti politike, pjesëtare ose jo e një koalicioni, dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ-së, që cenojnë interesat e tyre të ligjshëm, brenda 3 ditëve nga data e shpalljes së vendimit.”, neni 145/1 i Kodit Zgjedhor, i cili parashikon se: “Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm brenda afatit të përcaktuar në nenin 152 të këtij Kodi. Të drejtën e ankimit, sipas këtij neni, e kanë edhe individët ose partitë politike, të cilëve u

është refuzuar kërkesa për regjistrim si subjekt zgjedhor”, etj.

E gjithë fryma e Kodit Zgjedhor pranon qartë interesin e ligjshëm të partisë politike (në koalicion ose jo) dhe vetë kandidatit (për organet e qeverisjes qendrore apo njësive të qeverisjes vendore) në paraqitjen e kërkesave apo ankesave që lidhen me interesat e tyre, duke pasur në fakt kandidatët të drejta më të kufizuara në paraqitjen e kërkesave të

caktuara, të cilat u takojnë ekskluzivisht partive politike dhe koalicioneve të tyre zgjedhore. Në çdo rast Kodi Zgjedhor ka barazuar të drejtën e koalicionit zgjedhor me atë të partive politike pjesë e tij në paraqitjen e kërkesave dhe ankesave. Duke qenë se neni 60/1 i Ligjit Nr.139/2015 nuk parashikon ndonjë kufizim dhe është i lidhur ngushtësisht me procesin zgjedhor, edhe interpretimi i kësaj dispozite nuk mund të jetë i ndryshëm apo në kundërshtim me parashikimet dhe frymën e Kodit Zgjedhor.

Pra, në vlerësimin e kësaj gjykate kërkuesi Partia Socialiste e Shqipërisë si pjesë e koalicionit zgjedhor „Aleanca për Shqipërinë Europiane “legjitimohet të kërkojë vërtetimin e mandatit të një kryetari bashkie kandidat fitues i kësaj force politike, siç është në rastin konkret mandati i Kryetares së Bashkisë Durrës.

Së fundi, në shqyrtimin e kërkesës së paraqitur gjykata çmon të rëndësishme të theksojë rolin e saj në këtë proces. Në analizën e këtij elementi gjykata i referohet parashikimeve të nenit 60/1 të Ligjit Nr.139/2015 cituar më sipër dhe dispozitave të Kodit Zgjedhor në lidhje me kompetencat e organeve administrative e gjyqësore të përfshira në procesin zgjedhor. Referuar këtyre dispozitave rezulton se roli i gjykatës së rrethit gjyqësor në vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë është verifikimi i plotësimit të kushteve formale të aktit që ka shpallur fitues kryetarin e bashkisë.

Në këtë përfundim gjykata arrin si bazuar në përmbajtjen gjuhësore të vetë nenit 60/1 të Ligjit Nr.139/2015, ashtu edhe në parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Kodit Zgjedhor në lidhje me kompetencat e organeve që shqyrtojnë hapa të ndryshëm të procesit të votimit.

Kështu kompetenca që neni 60/1 i Ligjit Nr.139/2015b i ka dhënë gjykatës së rrethit gjyqësor (dhomës civile) është vërtetimi i mandatit të kryetarit të bashkisë, pa përkufizuar se çfarë do të nënkuptojë ky proces. Një përkufizim apo sqarim i termit „vërtetim“ nuk rezulton as në Relacionin për projektligjin „Për vetëqeverisjen vendore“, në të cilin për nenin 60 të ligjit jepet shpjegimi: „Neni 60 përcatkon procedurat e vërtetimit dhe marrjes së mandatit nga kryetari i bashkisë që ka fituar zgjedhjet“.

Fjalori i gjuhës shqipe e përkufizon foljen „vërtetoj“ si: „1. Pohoj se diçka është e vërtetë a e saktë, pasi e kam shqyrtuar ose e kam kontrolluar; provoj me fakte, me dëshmi, me prova etj. vërtetësinë ose saktësinë e diçkaje; tregoj se diçka është plotësisht e vërtetë dhe e saktë, e gjej vërtet si është puna. Vërtetoj një tezë. E vërtetoi me shkrim (me fakte, me prova). E vërtetoi dyshimin (diagnozën). E vërteton shkenca. E ka vërtetuar jeta (historia).

2. Tregoj se një dokument është i saktë dhe ka vlerë të plotë, duke e nënshkruar. Vërtetoj shkresën (dokumentin, faturën). 3. mat. Provoj vërtetësinë e një pohimi tjetër me anë të një vargu veprimesh matematike, arsyetimesh e gjykimesh të veçanta të lidhura në një mënyrë të caktuar. Vërtetoj një teoremë.” Pra në interpretimin literal të funksionit të gjykatës në këtë proces

(vërtetimin e mandatit) kuptohet që roli i gjykatës është të shqyrtojë nëse vërtetohet me prova se akti me të cilin kandidati për kryetar bashkie është shpallur fitues është i saktë dhe i vërtetë dhe nëse është përfundimtar. Referuar parashikimeve të Kodit Zgjedhor, një vendim i KQZ-së konsiderohet si i formës së prerë (për rrjedhojë dhe përfundimtar) nëse:

a) ndaj tij nuk është ushtruar ankim administrativ brenda afateve ligjore sipas parashikimeve të neneve 124 – 144 të Kodit Zgjedhor;
b) ndaj tij është ushtruar ankim administrativ po në KQZ sipas parashikimeve të nenit 124/3 dhe KQZ është shprehur mbi aktin me një vendim të dytë, ndaj të cilit nuk është ushtruar ankim gjyqësor në Kolegjin Zgjedhor sipas parashikimeve të neneve 145 e 152 – 158 të Kodit Zgjedhor brenda afateve ligjore;

c) Kolegji Zgjedhor është shprehur mbi aktin me vendim, dhe ky vendim është i formës së prerë dhe përfundimtar sipas nenit 158/5 të Kodit Zgjedhor, i cili parashikon: „Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë. Ndaj tij nuk bëhet ankim”.

Në rastin në shqyrtim ky akt i cili duhet të vërtetohet nga gjykata referuar nenit 123 të Kodit Zgjedhor është pikërisht vendimi i KQZ për  miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit për Zgjedhjet për Kryetar Bashkie, vendim i cili në rastin në shqyrtim mban Nr.944, dt.05.07.2019 dhe vërtetohet se është i formës së prerë dhe përfundimtar, pasi ndaj tij nuk është ushtruar ankim administrativ në KQZ sipas nenit 124/3 të Kodit Zgjedhor.

Roli i gjykatës së rrethit gjyqësor në vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë është tërësisht i ndryshëm nga roli i KQZ si i vetmi institucion ligjor kompetent për verifikimin e rezultateve të votimit, rolit të Kolegjit Zgjedhor për shqyrtimin e ankesave gjyqësore ndaj vendimeve të KQZ dhe rolit të Këshillit Bashkiak si organi kompetent për shpalljen e vlefshmërisë së mandatit apo deklarimin epavlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë.
Konkretisht neni 59/1 i Ligjit Nr.139/2015 „Për vetëqeverisjen vendore“ parashikon: „Çdo bashki ka kryetarin e saj, të zgjedhur sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor.”, ndërsa Kodi Zgjedhor në nenin 21/7 përcakton si një nga kompetencat e KQZ: “Shpall me vendim rezultatin e zgjedhjeve për çdo zonë zgjedhore, kandidatët fitues për zgjedhjet në Kuvend, kandidatë fitues për anëtarët e këshillave për organet e qeverisjes vendore” dhe në nenin 167 të tij ka përcaktuar në lidhje me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për

organet e qeverisjes vendore: „Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve shpallet nga KQZ-ja jo më vonë se 5 ditë nga data e shpalljes së rezultatit për shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas pikës 7 të nenit 163 të këtij Kodi dhe pasi të kenë përfunduar procedurat e ankimit, sipas këtij Kodi“.

Ndërkaq neni 123 i Kodit Zgjedhor parashikon:

“1. KQZ-ja verifikon dhe nxjerr rezultatet e votimit për zonën zgjedhore për Kuvendin apo për njësinë e qeverisjes vendore, territori i së cilës është i ndarë në dy apo më shumë KZAZ, në bazë të tabelave të rezultateve të nxjerra nga çdo KZAZ e zonës zgjedhore përkatëse. Për këtë, KQZ-ja plotëson Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore dhe e

miraton atë me vendim jo më vonë se 48 orë nga mbërritja e të gjitha tabelave të zonës zgjedhore. 2. Përpara plotësimit të Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit për Zonën Zgjedhore, sipas pikës 1 të këtij neni, KQZ-ja kontrollon kryesisht ose me kërkesë të palëve përpara marrjes së vendimit, sipas këtij neni, nëse tabelat e rezultateve të ZAZ-ve të zonës përkatëse përfshijnë të gjitha tabelat e qendrave të votimit të asaj zone. Kur KQZ-ja konstaton se tabela e rezultateve të një ZAZ-je nuk përfshin tabelat e të gjitha qendrave të votimit të asaj

ZAZ-je, kutitë e së cilës janë pranuar të rregullta, urdhëron KZAZ-në që të plotësojë menjëherë tabelën dhe ta ridërgojë në KQZ brenda 24 orëve.

Në rast mosplotësimi brenda këtij afati, tabela plotësohet nga KQZ-ja. Në rast se votat e një kutie të pranuar si të rregullt nuk janë numëruar, KQZ-ja urdhëron numërimin fillestar të votave të panumëruara të qendrës së votimit që nuk është përfshirë në tabelën e rezultateve. Afati i përcaktuar në pikën 1 të këtij neni fillon pas plotësimit të secilës tabelë rezultati ZAZ-je, sipas kësaj pike. Në çdo rast Tabela Përmbledhëse e Rezultatit për Zonën Zgjedhore, sipas këtij neni, nuk mund të miratohet nga KQZ-ja, pa numëruar të gjitha kutitë e pranuara të rregullta, sipas këtij Kodi, në të kundërt vendimi i miratimit të Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore, sipas këtij neni, është i pavlefshëm. 3. Kur gjatë hartimit të tabelës, sipas pikës 1 të këtij neni, KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të palëve, vëren mospërputhje të shifrave të votave për subjektet të tabelës së rezultatit të ZAZ-së me tabelat e rezultateve të qendrave të votimit, merr vendim për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore me shifrat e korrigjuara, duke u bazuar në origjinalet e tabelave të qendrave të votimit. Një kopje e vendimit për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore u jepet të

gjitha subjekteve zgjedhore që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e zonës zgjedhore përkatëse. 4. Vendimi i KQZ-së për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore, sipas këtij neni, mund të ankimohet po në KQZ, sipas procedurave të parashikuara në pjesën X të këtij Kodi.
5. Vendimi i KZAZ-së për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zgjedhjeve të ZAZ-së, çdo vendim i

KZAZ-së, i marrë gjatë procedurës së marrjes në dorëzim të materialeve dhe dokumentacionit zgjedhor nga KQV-të, si dhe gjatë numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit të votimit, janë vendime të ndërmjetme dhe ankimohen në KQZ së bashku me ankimin kundër vendimit të KQZ-së për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore, të marrë sipas pikës 1 të këtij neni.“

Që në pikën 1 të këtij neni Kodi Zgjedhor ka përcaktuar kompetencën e KQZ si i vetmi organ që verifikon dhe nxjerr rezultatet e votimit dhe po sipas parashikimeve të tij Kodi Zgjedhor ka përcaktuar si të vetmin organ kompetent për të shqyrtuar ankimin gjyqësor ndaj vendimeve të KQZ-së Kolegjin Zgjedhor. Kjo do të thotë se verifikimi dhe nxjerrja e rezultateve të votimit, ligjshmëria dhe vlefshmëria e zgjedhjeve janë vetëm kompetencë e KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor dhe kurrsesi objekt shqyrtimi i gjykatës së rrethit gjyqësor në gjykimin e

kërkesës për vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë sipas nenit 60/1 të Ligjit Nr.139/2015.

Gjykata thekson se kompetenca e mësipërme funksionale e KQZ dhe e Kolegjit Zgjedhor, vjen në harmoni me gjithë parashikimet e tjera të Kodit Zgjedhor mbi funksionin dhe rolin e këtyre institucioneve. Kështu, të gjithë elementët që lidhen me plotësimin e kushteve të regjistrimit në zgjedhje të partisë politike (në koalicion ose jo) dhe kandidatëve përkatës për kryetar bashkie, verifikohen nga KQZ sipas parashikimeve të neneve 72 dhe 73 të Kodit Zgjedhor, insitucion ky nëpërmjet vendimit përkatës, i cili mund të ankimohet vetëm në Kolegjin Zgjedhor. Më tej, edhe procesi dhe rezultati i votimit verifikohet dhe nxirret vetëm nga KQZ nëpërmjet vendimit për miratimin e tabelave përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve dhe shpalljen e kandidatëve fitues sipas nenit 123 të Kodit Zgjedhor dhe në rast ankimi kjo vendimmarrje mund të shqyrtohet nga vetë KQZ si organ administrativ apo Kolegji Zgjedhor si organ gjyqësor. Por në asnjë rast kompetenca të tilla nuk i janë kaluar nga ligjvënësi gjykatës së rrethit gjyqësor që shqyrton kërkesën për vërtetimin e mandatit.

Referuar këtyre parashikimeve dhe terminologjisë e formulimit të nenit 60 të Ligjit Nr.139/2015 gjykata arrin në konkluzionin se i vetmi element që duhet të analizohet prej saj në shqyrtimin e kërkesës për vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë është ekzistenca e vendimit të formës së prerë dhe përfundimtar të KQZ për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit për Zgjedhjet për Kryetar Bashkie Durrës.
Në vijim, neni 60 i Ligjit Nr.139/2015 në pikat 2 dhe 3 të tij ka përcaktuar edhe kompetencat e Këshillit Bashkiak në shpalljen e vlefshmërisë apo deklarimin e pavlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë në mbledhjen e tij më të parë duke përcaktuar: „
2. Deklarimi i pavlefshmërisë së mandatit të kryetarit bëhet kur vërehet se nuk plotësohen kushtet, sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
3. Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë bëhet në mbledhjen më të parë të këshillit bashkiak përkatës, ku kryetari bën betimin, sipas formulës së përcaktuar në nenin 50, të këtij ligji, dhe e nënshkruan atë”.
Pra, ligjvënësi ka ndarë kompetencat dhe funksionin e secilit prej organeve pjesëmarrës në këtë proces, duke mos krijuar mbivendosje mes këtyre kompetencave. Për pasojë, roli dhe funksioni i kësaj gjykate në shqyrtimin e kërkimit është vetëm vërtetimi nëse sipas Vendimit Nr.944, dt.05/07/2019 të KQZ Znj.Valbona Sako është shpallur fituese si Kryetare e Bashkisë Durrës.

Në dispozitivin e vendimit të mësipërm KQZ ka vendosur:

Të miratojë Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Durrës, Qarku Durrës, bashkëlidhur këtij vendimi.2. Të shpallë fitues për Kryetar të Bashkisë Durrës Znj.Valbona Simo Sako, të propozuar nga Aleanca për Shqipërinë Europiane.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, brenda 5 ditëve nga shpallja e këtij vendimi. Siç provohet me Vërtetimin Nr.13601/1 Prot. dt.18/07/2019 ky vendim nuk është ankimuar, duke qenë kështu i formës së prerë dhe përfundimtar.

Në këto kushte bazuar në nenin 60/1 të Ligjit Nr.139/2015 „Për vetëqeverisjen vendore“ gjykata arrin në përfundimin se kërkesa e Partisë Socialiste të Shqipërisë si pjesë e koalicionit zgjedhor „Aleanca për Shqipërinë Europiane“ për vërtetimin e mandatit të Znj.Valbona Sako si Kryetare e Bashkisë Durrës është e bazuar dhe në prova në ligj dhe duhet pranuar.

Për këto arsye

Baza Ligjore: Gjykata bazuar në nenin 60/1 të Ligjit Nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, Kodin Zgjedhor dhe nenet 32 e vijues, 58 e 45/1 të K.Pr.Civile

VENDOSI:

Vendosi:

– Pranimin e kërkesës së kërkuesit Partia Socialiste e Shqipërisë si pjesë e koalicionit zgjedhor Aleanca për Shqipërinë Europiane.

– Të vërtetojë mandatin si Kryetare e Bashkisë Durrës të Znj.Valbona Simo Sako në zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019, sipas Vendimit Nr.944, dt.05/07/2019 të KQZ.

– Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.

– Ky vendim është i formës së prerë.

– Durrës, më 19.07.2019.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko