Policia e shtetit ka reaguar menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Fierit e cila liroi protestuesin që akuzohet se goditi me gur policin në protestën e disa ditëve më parë.

 

Përmes një njoftimi për mesiat policia thekson se do të depozitojë padi penale ndaj gjyqtarit Sota, si dhe do të referojë pranë organeve të Vettingut dokumentacionin që provon absurditetin e vendimit të tij.

 

“Vendimi i sotëm i gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, Pirro Sota, për të liruar nëpunësin e Bashkisë Mallakastër, që goditi me gur në kokë një punonjës policie në krye të detyrës, ka tronditur të gjithë Policinë e Shtetit.  Arroganca, shpërfillja ekstreme e ligjit dhe injorimi flagrant i provave të pakundërshtueshme dhe i raporteve të shërbimit të Policisë së Shtetit, që provonin atë që ka parë tashmë gjithë Shqipëria, janë të papranueshme.

Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë mbrojtjen e veçantë të ligjit, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.  Rreziku për jetën e punonjësve të PSH, shtohet jo vetëm nga papërgjegjshmëria e elementëve kriminalë, por edhe e gjyqtarëve të lidhur me krimin.

Policia e Shtetit e ka dëshmuar me gjakun e qindra dëshmorëve, përgjegjësinë e saj publike dhe nuk mund të pajtohet me vendime skandaloze të ndonjë gjyqtari të papërgjegjshëm, vendime të cilat jo rrallë herë kanë lënë të pandëshkuar jo vetëm autorët e plagosjeve ndaj policëve, si rasti aktual i Fierit, por edhe vrasësit e tyre.

PSH do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore si për të mbrojtur jetën e punonjësve të saj, ashtu dhe për të vënë përpara drejtësisë bashkëpunëtorët e krimit, edhe kur këta mbajnë të veshur padrejtësisht mantelin e gjyqtarit. Policia e Shtetit  do të depozitojë padi penale ndaj gjyqtarit Sota, si dhe do të referojë pranë organeve të Vettingut dokumentacionin që provon absurditetin e vendimit të tij.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re