Kryeministri Edi Rama gjithmonë gjen kohë që të replikojë me komentuesit në rrjetin social Facebook. Ai ka folur sot sërish për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Presidentin e Republikës Ilir Meta.

Ndërsa një komentues shprehet i zhgënjyer nga kryeministri për këtë vendim të Gjykatës, Rama i përgjigjet se Gjykata Kushtetuese nuk varet nga qeveria.

Ai thekson se duhet të pajtohemi edhe me faktin se pushtetet e pavarura mund të marrin vendime që nuk na pëlqejnë.

Komentues: Me goditjet që more nga Gjykata Kushtetuese sot nuk të ka asnjë vlerë fjala. Dikur të mbuluam me vota, po me sa duket, nuk e ke problem të dalësh i zbuluar. Asnjëherë nuk më ke zhgënjyet si sot. Dikur për të votuar ty, më thyen krahun. Të trokitëm ndonjëherë në derë. Fiasko.

Edi Rama: Gjykata Kushtetuese nuk varet nga qeveria i dashur dhe nuk e kuptoj për çfarë dalje zbuluar e ke fjalën, sepse faktikisht Gjykata Kushtetuese doli kundër vendimit tonë! Ah, nëse ti ke menduar se unë duhet të kontrolloj edhe gjykatën kushtetuese atëherë ky nuk është faji im, sepse detyra ime është komplet tjetër dhe për sa kohë e kemi zgjedhur këtë sistem, duhet të pajtohemi edhe me faktin se pushtetet e pavarura mund të marrin vendime që nuk na pëlqejnë! Unë nuk dua t’i komentoj vendimet e gjykatave, sepse nuk më takon, por që të më thuhet se një vendim gjykate që bie ndesh komplet me qëndrimin tim qenka zhgënjim prej meje, kjo është absurde fare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re