Sarajet janë marrë nën kontrollin e Bashkisë së Tiranës mbrëmjen e sotme, 5 ditë pas vendimit të qeverisë për të shpronësuar pronarët e kësaj prone.

Mbrëmjen e sotme, Fax News ka siguruar video nga Sarajet të cilat janë të rrethuara nga forca policie. Pesë ditë më parë, një nga vendimet e mbledhjes së qeverisë ishte dhe shpronësimi i Sarajeve të Toptanëve. Lajmi u bë me dije nga Ministrja Elva Margariti.

Mirëpo, sipas një denoncimi të mbërritur në Fax News, vendimi për rrethimin e Sarajeve është bërë pa us hpallur më parë VKM-ja. Sipas këtij denoncimi, policia nuk lejon as pronarët të futen në Sarajet e Toptanëve, me këta të fundit që nuk e pranojnë VKM-në.

Rikujtojmë se shpronësimi i Sarajeve të Toptanëve ka kaluar në një sërë debatesh pasi këtyre të fundit iu vu flaka në gusht të këtij viti. Kryetari i Bashkisë akuzoi se Sarajeve i ëështë vënë zjarri qëllimisht, por ai shtoi se aty nuk do të ketë ndërtim pavarësisht këtyre përpjekjeve. Ai shtoi se kjo godinë do të kthehet në muze.

“Dua t’u them qytetarëve se ka muaj që pronarët kërkojnë me çfarëdo lloj mënyre të shmangin shpronësimin e asaj ndërtese. Ajo ndërtesë është Monument Kulture, në dallim nga Teatri prej tallashi apo këndi i lodrave, që nuk kanë qenë Monumente Kulture. Kush ka sy, kush ka veshë mund të dëshmojë që ata njerëz, ata politikanë që ulërinin për Teatrin prej tallashi, që s’ishte Monument Kulture apo këndin e lodrave që s’ishte Monument Kulture, sot heshtin. Ndoshta, prej faktit që janë edhe bashkëpronarë, edhe të interesuar në atë pronë. Por ajo që do të ndodhë është kjo: Qeveria do bëjë një shpronësim total të asaj ndërtese. Të gjithë pronarët do marrin paratë e tyre, ndërtesa do i kalojë Bashkisë së Tiranës dhe do kthehet në një shtëpi muze, ashtu siç ka plot shtëpi muze në Korçë e Gjirokastër, ashtu siç kemi bërë muze shtëpinë e Ismail Kadaresë apo shtëpinë e Dritëro Agollit”, deklaronte Veliaj para disa javesh.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re