Skip to content

Vendimi për të mos gjobitur kompanitë e prodhimit të miellit, Ahmetaj: U besoj profesionistëve, kanë votuar me përgjegjshmëri

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj tha se u beson ekspertëve të Autoriteteve të Konkurrencës në vendimin që morën, për të mos gjobitur kompanitë e prodhimit të miellit për rritjen e çmimit të këtij produkti, që solli edhe rritjen e çmimit të bukës në vend.

“Kam shumë besim tek ata, janë profesionistë shumë të thelluar në fushat e tyre, kështu që, edhe si një ent i pavarur, e respektoj vendimin”, tha Ahmetaj në një konferencë për mediat.

“Sa më përket mua, vendimi që kanë botuar, që nuk ka monopol në tregun e miellit dhe aty nuk ka marrëveshje horizontale, i besoj që kanë bërë hetim të thellë dhe kanë votuar me përgjegjshmëri qytetare, profesionale dhe institucionale”, tha ai.

Me tre vota kundër, Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës rrëzoi hetimet e kryera ndaj kompanive të prodhimit të miellit, si dhe marrjen e masës me gjobë ndaj tyre, edhe pse Sekretariati kishte konstatuar shkelje dhe abuzime për pretendimet e kompanive se kanë rritje të kostove të punës, duke propozuar një gjobë me vlerë totale 5 milionë euro për katër ndërmarrjet nën hetim.