Skip to content

VENDIMI/ Pfizer / BioNTech merr “Ok” amerikan: kur pritet të vijë në Shqipëri?

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka njoftuar miratimin e përdorimit të vaksinës së Pfizer kundër COVID-19 dhe vaksinimet e para priten brenda pak ditësh, që do të thotë një pikë kthese në Shtetet e Bashkuara, ku tashmë, pandemia e virusit Corona ka marrë më shumë se 295.000 jetë.

FDA ka lëshuar një licencë emergjence për përdorimin e një vaksine të zhvilluar nga Pfizer me partnerin gjerman BioNTech që ka treguar 95 për qind efektivitet në parandalimin e COVID-19.

Agjencia njoftoi se vaksina mund të bëhet për njerëzit e moshës 16 vjeç e lart.

Punonjësit e shëndetësisë dhe të moshuarit në institucionet e kujdesit afatgjatë pritet të jenë marrësit kryesorë të këstit të parë , prej 2.9 milion doza, raporton Reuters.

“Vaksinimi i parë do të bëhet në më pak se 24 orë. Jam krenar të them se ne kemi siguruar një vaksinë falas për të gjithë amerikanët,” tha Presidenti në largim i SHBA Donald Trump në një video të postuar në Tëitter.

Qeveria amerikane ka njoftuar se do të fillojë shpërndarjen e vaksinës në të gjithë vendin menjëherë pas miratimit të FDA dhe se vaksinat e para do të fillojnë në fillim të javës së ardhshme.

Miliona amerikanë mund të vaksinohen që në dhjetor, veçanërisht nëse vaksina e Moderna-s miratohet së shpejti.

Vaksina Pfizer u aprovua për herë të parë në MB në fillim të këtij muaji dhe britanikët filluan vaksinimin të martën.

Kanadaja gjithashtu ka miratuar përdorimin e vaksinës dhe vaksinimi pritet të fillojë javën e ardhshme.

Shpërndarja e vaksinës Pfizer është komplekse dhe sfiduese, sepse ajo duhet të ruhet në minus 70 gradë Celsius.

Vaksinat e tjera janë në një fazë të lartë të zhvillimit, duke përfshirë Moderna-n, e cila mund të marrë aprovimin urgjent të FDA për përdorim që javën e ardhshme, pastaj AstraZeneca, e cila u bë në bashkëpunim me Universitetin e Oxfordit, si dhe Johnson & Johnson.

Vaksina e Moderna-s përdor të njëjtën teknologji si ajo e Pfizer-it, por nuk ka pse të ruhet në temperatura subarktike.

Kujtojmë që ditë më parë, gjatë një qëndrimi  në SHBA, kryeministi Rama njoftoi një takim me kreun e Pfizer-it Albert Burlam, dhe tha se vaksinimi në Shqipëri me atë që konsideriohet si vaksina e krijuar nga një çift turko-gjerman, themeluesit e drejtuesit e BioNTech-ut, do nisë në janar e shkurt.

“Ambicia jonë është që brenda dy muajve të parë të vitit të ri të nisim vaksinimin!

Duket e pamundur po ne do t’ia dalim,pavarësisht vështirësisë së skajshme në këtë situatë për të gjithë, ku sidoqoftë vendet më të vogla e me të ardhura më të ulëta janë dhe më të dizavantazhuarat!”, shkroi Rama.