VALENTINA MADANI/ Pas kaosit të krijuar në Kuvend, me kërkesë të mazhorancës, Komisioni i Etikës vendosi dje përjashtimin me 10 ditë nga jeta parlamentare të 26 deputetëve të opozitës.

Deputetët socialistë kërkuan përjashtimin për 26 deputetë, por vendimi është marrë për 23, duke shpëtuar kështu deputetja Dhurata Çupi, Tomorr Alizoti dhe Qani Xhafaj.

Deputetët opozitarë të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit, ashtu siç kishin paralajmëruar, kanë bërë rezistencë në Kuvend, duke bërë që seanca plenare të mos zhvillohet dhe të shtyhet për një ditë tjetër.

Nisur nga kjo situatë, Partia Socialiste kërkoi mbledhjen e Komisionit të Etikës dhe pas përfundimit të mbledhjes, u përjashtuan nga Kuvendi për 10 ditë 23 deputetë të opozitës.

Në shkresën e depozituar në Kuvend nga Partia Socialiste kërkohej nga Komisioni i Etikës dhe Rregullores marrja e masës disiplinore për deputetët Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Edmond Spaho, Saimir Korreshi, Lindita Metaliaj, Ramadan Likaj, Luan Baçi, Lefter Gështenja, Ina Zhupa, Helidon Bushati, Isuf Çela, Asllan Dogjani, Bujar Leskaj, Lodovik Hasani, Tritan Shehu, Greta Bardeli, Dhurata Çupi, Sorina Koti, Kastriot Piroli, Kasëm Mahmutaj, Tomor Alizoti dhe Qani Xhafaj.

Mazhoranca argumenton se janë gjendur përballë një situate të paprecedentë dhe jo normale në fillim të seancës plenare. Në kërkesën drejtuar Komisionit të Etikës, grupi i PS-së shprehet se, “deputetët e opozitës në thyerje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, bllokuan hyrjen e deputetëve të grupit parlamentar të PS-së dhe hoqën kartat e tyre nga pajisjet elektronike të votimit, duke bllokuar më pas vendet ku ulet kryetarja e Kuvendit dhe kabineti qeveritar, si dhe portat hyrëse të tyre duke vendosur karrige. Ne këto kushte u bë i pamundur zhvillimi i seancës plenare, duke mos lejuar shqyrtimin dhe votimin e projektligjeve dhe projektvendimeve të parashikuara në rendin e ditës sipas urdhrit të kryetarit të Kuvendit”.

Ata theksojnë se në këto kushte u bë e pamundur zhvillimi i seancës plenare, duke mos lejuar shqyrtimin dhe votimin e projektligjeve dhe projektvendimeve të parashikuara në rendin e ditës sipas urdhrit të Kryetarit të Kuvendit.

PS SHTYN SEANCËN MË 30 TETOR

Socialistët u tërhoqën nga zhvillimi i seancës plenare k ëtë javë, pasi opozita bllokoi Kuvendin. Kryetari i grupit parlamentar, Bledi Çuçi, informoi deputetët e PS-së se seanca e radhës do të zhvillohet më 30 tetor.

“Kolegë, nuk do të zhvillojmë seancë këtë javë. Seanca e radhës, të hënën, më 30 tetor, për çështjet e zgjedhësve. Vijojmë në ditët në vazhdim nëpër zona, me vendimet që u morën në mbledhjen e grupit”, – shkruhet në mesazhin drejtuar deputetëve të PS-së.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re