Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Jorge Arreaza, kërkoi nga Kombet e Bashkuara (OKB) ndihmë teknike dhe diplomatike në lidhje me luftën kundër grupeve të armatosura të parregullta kolumbiane në kufirin e saj.

Në një konferencë për media në kryeqytetin Caracas, ministri Arreaza tha se kanë kërkuar ndihmë teknike nga Shërbimi i OKB-së për Veprimin ndaj Minave (UNMAS) lidhur me përcaktimin dhe shkatërrimin e minave që grupet në fjalë kanë vendosur në pjesën e kufirit të Venezuelës.

“Forcat e armatosura të Venezuelës kanë informacion dhe trajnim për pastrimin e rajonit nga minat, por teknologjia ka ndryshuar dhe në këtë rajon ka protokolle të reja”, deklaroi Arreaza, i cili tha se UNMAS mund t’u japë forcave të armatosura të vendit të tij rekomandime për pastrimin e plotë të rajonit nga minat.

Gjithashtu nga OKB-ja është kërkuar edhe hapja e një hetimi për të përcaktuar se ku fshihen grupet e armatosura të parregullta kolumbiane, njoftoi Arreaza, i cili pretendoi se këto grupe mund të mbrohen nga presidenti i Kolumbisë, Ivan Duque.

Arreaza theksoi se nga OKB-ja dëshirojnë që të ndihmojë në formimin e një kanali komunikimi të drejtpërdrejtë mes Venezuelës dhe Kolumbisë për të punuar së bashku kundrejt krizës në rajonin kufitar. Ai shtoi se koordinimi mes forcave publike të dy vendeve aktualisht është në nivelin minimal.

Dihet se mbi 5 mijë venezuelas që jetojnë në rajonet pranë kufirit kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe kanë kaluar në Kolumbi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re