Prokurorët e Venezuelës kanë njoftuar se kanë akuzuar politikanin e opozitës Freddy Guevara për terrorizëm dhe tradhti, ndër të tjera, pasi shërbimi i inteligjencës e arrestoi atë në një autostradë në Caracas.

Guevara është një aleat i ngushtë i udhëheqësit të opozitës Juan Guaido, i cili njihet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera si presidenti legjitim i shtetit të Amerikës së Jugut. Guaido tha se persona të armatosur të paidentifikuar e kërcënuan ta arrestonin të hënën ndërsa po largohej nga banesa e tij në një përpjekje për të ndihmuar Guevara-n.

Kryeprokuroria tha se kishte kërkuar një urdhër për Guevara-n për “lidhjet e tij me grupet ekstremiste dhe njësitë paraushtarake të lidhura me qeverinë kolumbiane”.

Incidenti erdhi përpara bisedimeve të planifikuara qeveri-opozitë në Venezuelë muajin tjetër, të ndërmjetësuar nga Norvegjia.

Presidenti Nicolas Maduro konfirmoi planet e shtetit në televizionin shtetëror të hënën, por tha që opozita duhet të heqë dorë nga taktikat e dhunshme përpara bisedimeve.

Ai nuk e përmendi emrin Guevara-s ose Guaido-s, por tha se kishte prova se disa aktorë po planifikonin një grusht shteti dhe se prokurorët po vepronin sipas këtyre provave.

Maduro gjithashtu u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të heqin sanksionet ndaj Venezuelës përpara se të fillojnë negociatat.

Opozita, e mbështetur nga SHBA, e konsideron Maduro-n një diktator dhe e akuzon atë për manipulimin e zgjedhjeve presidenciale 2018 dhe përdorimin e sistemit gjyqësor për të mbytur disidentët.

Maduro, i cili ka ruajtur mbështetjen ushtarake, mohon që zgjedhjet të ishin manipuluar. Ai e quan Guaido-n një kukull amerikane dhe e akuzon atë për komplot.

“Ne dënojmë me forcë arrestimet e kongresmenit Freddy Guevara dhe kërcënimet kundër presidentit të përkohshëm Juan Guaido në Venezuelë,” shkroi Julie Chung nga Zyra e Çështjeve të Hemisferës Perëndimore të SHBA.

 

Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të bashkohet në dënimin e akteve dhe kërkoi lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Venezuelë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re