Botimet më të fundit të Fondacionit “ALSAR”, dy vepra të atdhetarit Pashko Vasa, kanë mbledhur në Tiranë figura të njohura të fushës akademike, pikërisht për promovimin e veprave “E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët” dhe “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare”.
Të pranishmit e shumtë në aktivitetin promovues dëgjuan fillimisht fjalën e kryetarit të Fondacionit “ALSAR”, Mehdi Gurra.
Fjala e tij u përqendrua te figura e Pashko Vasës dhe te elemente të spikatura të ideve të tij në këto dy vepra. Ai falënderoi studiuesin dhe albanologun gjerman, Michael Schmidt-Neke për dhënien e kopjes së fotokopjuar të veprës “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare”, si dhe përkthyesin e saj nga frëngjishtja, prof. dr. Seit Mansakun… Sipas Gurrës, një karakteristikë e veçantë e kësaj vepre është se ajo me porosi të Sulltan Abdylhamidit II u përkthye në osmanisht… Ideolog dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare, do të nënvizonte z. Gurra, Pashko Vasa na ndihmon të mos e kuptojmë historinë si bardhë e zi.

“…E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët”, ndër të tjera u shpreh: “Historiografia osmanofobe merr një goditje të fortë prej përfundimit të nxjerrë nga ky ideolog asokohe se Shqipëria nuk mund të vazhdonte të jetonte veç se nën një zotnim që e nderonte ekzistencën, zakonet dhe kombësinë e saj, dhe se gjer atëherë kishte qenë Perandoria Otomane që i kishte përmbushur të gjitha këto kondita…” Mikpritësi në këtë promovim u ndal dhe te vepra tjetër, “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare”, për të cilën tha se ajo rrëfen si për malazezët dhe për shqiptarët fqinj me ta. “…Dy veprat na ndihmojnë ta njohim më mirë figurën e Pashko Vasës. Ato na ndihmojnë po ashtu t’i mësojmë ca të vërteta, e në i paçim ditur, t’i rifreskojmë në mendje…”, theksoi në fund kryetari i Fondacionit “ALSAR”.

I ftuar në promovim ishte studiuesi dhe albanologu gjerman, Michael Schmidt-Neke, mbajtës i një kumtese mjaft interesante: “Disa mendime për receptimin e shkrimeve të Pashko Vasës”. Me një shqipe tepër të kuptueshme, miku i veçantë kumtoi për atë çka ai e quajti manifest të Pashko Vasës, veprën “E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët”, për të cilën dha dhe hollësi të botimeve në gjuhë të tjera perëndimore. Në fjalën e tij përmendi dhe censurimin që u ishte bërë paragrafëve të veçantë të këtij libri në botimin e para viteve ’90 të shekullit të shkuar…
Ndërkaq, Michael Schmidt-Neke falënderoi Fondacionin “ALSAR” për punën e bërë.
Fjala e prof. dr. Gazmend Shpuzës u ndal në disa lëmenj njëherësh, me figurën e Pashko Vasës gjithmonë në qendër.
Temë e kumtesës së tij ishte “Përsiatja rreth ribotimit të përkthimit të parë në shqip të kryeveprës së Pashko Vasë Shkodranit”.
I ftuari nga Kosova, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Hysen Matoshi mbajti kumtesën: “Shqiptarët dhe fqinjët e tyre në veprën e Pashko Vasës”. Kumtoi po ashtu dhe dr. Bejtulla Destani, i cili foli për burime të panjohura për veprën e Pashko Vasës.
E fundit kumtesë në këtë veprimtari promovuese ishte ajo e prof. dr. Seit Mansakut, përkthyesit të njërës prej veprave. Profesori i nderuar kishte zgjedhur për temë etnogjenezën e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe në veprën e Pashko Vasës dhe shënimet kritike të Mehdi Frashërit.

Më herët studiuesi e albanologu gjerman, Dr. Michael Schmidt-Neke zhvilloi një vizitë në Fondacionin “ALSAR”. Ai është pritur nga kryetari i Fondacionit Alsar, Mehdi Gurra.Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku gjatë bisedës albanologu i mirënjohur i cili prej dekadash merret me studimin e historisë dhe me zhvillimet aktuale të Shqipërisë u njoh nga afër me veprimtarinë e Fondacionit “ALSAR”, ku një aspekt të rëndësishëm të veprimtarisë së tij, ia ka kushtuar edhe botimit dhe promovimit të librave dhe punimeve të karakterit enciklopedik, shkencor, historik e kulturor. Në këtë drejtim u shpreh z. Gurra, ne kemi synuar të prijmë e të hapim një rrugë, të inkurajojmë studiuesit, dhe historianët të fillojnë të mendojnë më shumë për historinë shqiptare; për të evidentuar dhe paraqitur me vërtetësi vlerat e kësaj historie; për t’iu ofruar një informacion real, dhe transparent, qytetarëve shqiptarë, shqiptarëve kudo që ndodhen, por edhe miqve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve mbi historinë e këtij vendi dhe kombi; mbi sakrificat, kontributet dhe qëndrimet e personaliteteve në periudha të ndryshme të historisë shqiptare./trt

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re