Detaje janë zbardhur nga dosja e grabitjes së dhunshme që ndodhi para dy netësh në Nikël të Fushë-Krujës, në shtëpinë e biznesmenit Nazmi Çangu.

Mësohet se vajza e biznesmenit, Xhelona Çangu ka treguar para hetuesve si njëri nga grabitësit hyri në dhomë i pamaskuar, duke sjellë reagimin e tjetrit që i tha “vër kapuçin” budalla.

“Rreth orës 02:00 dëgjova babin të bërtiste dhe rënkonte, por mendova se ishte sëmurë. Hapa derën dhe aty pashë një person të gjatë, të armatosur, që më tha “pusho”. Ai u fut në dhomë ku ndodhesha me shoqen time e vëllain e mitur. Na mori telefonat dhe i mbante në dorë.

Ai thirri një tjetër person që ndodhej në katin e dytë. Ai që erdhi ishte i pamaskuar, i veshur me rroba të zeza, trup i shkurtër, i mbushur në fytyrë e me pak bark, me flokë ngjyrë kafe, afërsisht rreth 40 vjeç. Në këtë moment, personi tjetër i maskuar i tha “Vendose kapuçin more budalla”. Njëri prej tyre kishte kufje në vesh dhe komunikonte me personat e tjerë” shprehet Xhelona Çangu.

Xhelona ka treguar në polici se nëse e sheh atë person, mund ta njohë. Sipas saj, nga bisedat që autorët bënin me njëri-tjetrin me kufje, kuptoi se ishin nga Laçit.

“Nga komunikimi dukej sikur ishte nga zona e Laçit. Njëri prej tyre mori vëllain dhe e çoi në dhomën tjetër dhe e pyeste për çelësin e kasafortës. Dukej që ata e njihnin mirë familjen time. Ata na thanë “Do marrim borxhin që na ka babai juaj Nazmiu”. Nëse e shoh personin që ishte pa maskë e njoh, madje mund ta kem parë edhe herë tjetër, por nuk mbaj mend se ku” tha Xhelona Çangu.

Pas mesantës, në datë 25 tetor, disa persona të armatosur kanë hyrë në shtëpinë e biznesmenit Nazmi Çangu. Ata kanë arritur të marrin nga shtëpia e tij, sipas deklaratave të Çangut, 100 mijë euro dhe bizhuteri, por duke e dhunuar këtë të fundit.

Policia ka sekuestruar 4 prova kyçe që mund të çojnë deri në identifikimin e autorëve, një armë gjahu çifte, fasheta plastike me ngjyrë të zeza pa pjesën mbyllëse; një fishek brave i këputur përgjysmë dhe kapaku i jashtëm, si dhe një kapele me ngjyrë të zeza me strehë. Ato janë çuar në laborator për ekzaminim nëse ka ose jo shenja gishtash.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re