Nga Justinian Topulli

Ajo që të bën shpesh përshtypje në një shoqëri si kjo e jona, është shkalla e lartë e korrupsionit moral, nga i cili rrjedhin të gjitha korrupsionet e tjera, ai financiar, politik dhe shoqëror. Shpesh i bëjmë pyetje vetes, si është e mundur që njerëzit nuk reflektojnë dhe nuk kanë frikë as nga skandalet dhe zbulimi i herëpashershëm i vjedhjeve, abuzimeve, mashtrimeve dhe krimeve të shumta që mbushin kronikat e lajmeve përditë?!

Sigurisht që jo çdokush që nuk ka frikë Zotin dhe as botën tjetër domosdoshmërisht do të jetë amoral, vjedhës dhe abuzues, pasi edukata familjare, frika nga ligji dhe ruajtja e imazhit publik luajnë një rol të madh frenues tek mjaft njerëz. Mirëpo, kur asnjëra nga këto nuk bëhet pengesë për ta ndaluar dikë nga pandershmëria, atëherë me të drejtë lind pyetja, cila është arsyeja apo shkaku që i bën njerëzit kaq të pandjeshëm apo dritëshkurtër, sa të mos tuten se një ditë do të turpërohen në sytë e njerëzve?

Dhe përgjigjja për këtë nuk mund të jetë tjetër, vetëm se pangopësia. Paramendoni një njeri të uritur apo të etur në kulm, i cili pas një kohe të gjatë bie në ushqim apo ujë të freskët, a do t’ia dijë ai për imazhin publik, se çfarë figure bën në sytë e njerëzve, ndërkohë që uria dhe etja i kanë errur atij shikimin nga çdo gjë tjetër, veç nevojës për ushqim?

Ndoshta ky duket një krahasim ekstrem, jo i ngjashëm për dikë që nuk ngopet me pushtet, para dhe komoditet, me atë që është në prag të vdekjes, dhe kjo është e saktë, por ndjenja që provon një njeri i tillë dhe verbëria që e kaplon atë është e tillë, e ngjashme me të uriturin, edhe pse në njërin rast e justifikueshme moralisht dhe në rastin tjetër jo.

Nëse etjen për luks, para dhe pushtet nuk e kontrollon dhe frenon ndërgjegjja e brendshme, e cila pa fe dhe besim, pothuajse është e vështirë të ndalet, njeriun nuk ka asgjë që e ngop në këtë botë. Oreksi vjen duke ngrënë,- thotë populli, sepse njeriu sa më shumë e shijon pushtetin, paranë dhe luksin, aq më shumë e kërkon atë, sepse ndjen se ajo që ka, nuk e ngop dëshirën e tij të zjarrtë për ta shtuar dhe zgjatur atë, ndaj dhe për këtë bën çdo përpjekje, qoftë kjo edhe amorale, për ta arritur atë me çdo kusht. E pikërisht për këtë, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse biri i Ademit do të kishte një luginë me flori, ai do të kishte dëshiruar një tjetër, por gojën e tij nuk do ta mbushë veçse dheu, e Allahu ia pranon pendimin atij që pendohet.” (Muslimi, 1048)

Nëse ky është tipar i lindur i bijve të Ademit, pra i mbarë njerëzve, atëherë çfarë i shtyn ata që e frenojnë veten nga një sjellje e tillë, të mos bien në batakun e kësaj pangopësie?

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re