Administrata tatimore do të shqyrtojë rast pas rasti në terren të gjitha ankesat e biznesit të vogël që iu refuzua kërkesa për përfitimin e ndihmës 26 mijë lekë. biznese

Më datë 18 prill ditën e shtunë përfundoi afati i aplikimit për këtë kategori, por kur i gjithë vendi ishte në karantinën 48 orëshe e cila përfundoi, ditën e hënë në orën 05:00, inspektorët tatimorë u gjendën në terren për të kryer verifikimet e fundit.

Për këtë kategori në proces shqyrtimi dhe verifikimi në terren nga tatimet sipas shifrave të bëra publike nga Kryeministri Rama janë edhe 16,875 subjekte. Bëhet fjalë për bizneset e vogla që për shkak të refuzimit për përfitim të ndihmës u dërguan drejtorive rajonale online ankesat e tyre.

Ky verifikim sipas insektorëve tatimorë kryhet pasi nga ankesat ka rezultuar mospërputhje e regjistrimit në QKB me llojin e bizneseve me atë çfarë praktisht tregtohet në dyqan.  Për ta pasur më të qartë publiku po sjellim një shembull konkret të shpjeguar nga inspektorët e kontaktuar në terren nga “Monitor” ku nga ankesat ka rezultuar se aplikimi i është refuzuar një dyqani veshjesh për fëmijë, por i cili në regjistrimin e QKB-së kishte të regjistruar edhe kategori të tjera, të cilat nuk i ushtronte si: import-eksport të mallrave të luksit, veshjeve apo konfeksioneve të tjera. Pas verifikimit në terren rezultoi se në dyqan tregtoheshin vetëm veshje për fëmijë. Nga inspektorët tatimorë ky rast pasi u shqyrtua në terren dhe u plotësua formulari u dërgua për rishqyrtim edhe një herë për përfitim të ndihmës.

Inspektimi i administratës ka si qëllimin verifikimin fizik të veprimtarisë të biznesit që i është refuzuar aplikimi për përfitimin e ndihmës financiare. Pas verifikimit inspektorët e terrenit plotësojnë një formular me të dhënat e kodit të biznesit të deklaruar në QKB dhe lloji i aktivitetit që rezulton që biznesi kryen sipas verifikimit në terren. Më pas formulari plotësohet me konkluzionet e inspektorit tatimor për t’i përcjellë për shqyrtim administratës tatimore, shoqëruar edhe me fotot përkatesë të biznesit të inspektuar.

Sipas Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve, ndërkohë të gjitha subjektet dhe individët, të cilëve u është refuzuar e drejta për të përfituar ndihmën financiare sipas paketës të parë do të njoftohen nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tyre në e-filing, nëse do të jenë përfitues të paketës të dytë të zgjeruar, pa qënë e nevojshme të ndjekin proçedurën e riaplikimit.

Nga tatimet iu është refuzuar aplikimi 50 mijë bizneseve, por kryeministri Rama deklaroi se 95% e tyre do të përfshihen në paketën e zgjeruar. Biznesi i vogël përfitues i pagës minimale prej 26 mijë lekë deri tani nga zbatimi i paketës të parë të ndihmës rezultojnë 40.327 përfitues. Pritet që brenda kësaj jave të mbyllet terësisht shpërndarja e pagave për biznesin e vogël. Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re