Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla ka komentuar trazirat në veri, duke thënë se kryetarët e komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit do të vazhdojnë mandatin e tyre në shërbim të të gjithë qytetarëve.

Ministri ka përgëzuar policinë e Kosovës për profesionalizmin që ka treguar në trajtimin, siç tha ai, me grupet e organizuara kriminale serbe.

“Pas betimit të djeshëm të kryetarëve të komunave veriore, kryetarët u vendosën në zyrat e tyre në ndërtesat komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin që ka treguar në trajtimin e grupeve kriminale që synonin prishjen e proceseve”, tha ai.

Ai ka theksuar se institucionet demokratike të Kosovës do të jenë gjithmonë në shërbim të qytetarëve të vendit pa dallim dhe pa kompromis me ata që sulmojnë demokracinë.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien në manipulimet e grupeve kriminale që duan kaos, kolaps të shtetit ligjor dhe demokraci për hir të përfitimit kriminal personal dhe grupor”, ka shkruar ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re