Një ditë pas përleshjeve midis Policisë së Kosovës dhe grupeve të serbëve lokalë, situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është e qetë.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë se pranë ndërtesës së Komunës së Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, ka prani të Policisë së Kosovës. Po ashtu, policë ka edhe brenda ndërtesave.

Para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit janë vendosur tri autoblinda policore me rreth 20 pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Në afërsi të ndërtesës së komunës, po ashtu janë parë ekskavatorë që po heqin rërën e hedhur një ditë më parë para ndërtesës së Komunës.

Situata në këtë komunë raportohet e qetë dhe gjendja është kthyer në normalitet, teksa janë hapur dyqanet dhe lokalet e gastronomisë.

Të shtunën, në ndërtesën e Komunës së Leposaviqit, ka dalë kreu i ri i kësaj komune, Lulzim Hetemi. Ai po ashtu ka mirëpritur në takim ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ndërkaq, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, të shtunën kërkoi tërheqjen e njësive speciale nga veriu. Kjo parti tha se Serbia duhet të ndalojë dialogun me Kosovën, derisa nuk tërhiqet policia.

Më 26 maj, Policia e Kosovës asistoi tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që të hynin në ndërtesat komunale. Këto ndërtesa, paraprakisht ishin përdorur nga institucionet paralele serbe.

Ky veprim u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë, të cilët u përleshën me policinë. Autoritetet e sigurisë përdorën shok-bomba dhe gaz lotsjellës, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të tyre.

Disa vetura policore u dogjën, ndërkaq të paktën pesë policë u lënduan.

Faktori ndërkombëtar e cilësoi shkuarjen në komunat në veri të kryetarëve të rinj si “hyrje me forcë”, duke dënuar veprimet e Prishtinës.

Por autoritetet kosovare fajësuan Serbinë dhe “strukturat ilegale dhe bandat kriminale” për situatën e krijuar, teksa thanë se Policia e Kosovës po realizonte detyrat e saj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re