Kuvendi i Kosovës i dha sot dritën formimit të institucioneve. Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, Ramush Haradinaj, në një deklaratë të përbashkët për shtyp me kreun e ri të kuvendit, Kadri Veselin, është zotuar se së shpejti do të prezantojë kabinetin e ri. Haradinaj theksoi se tashmë pret që Kuvendi të votojë qeverinë e re, e cila sipas tij, do të jetë e qëndrueshme.
 
Ndërsa kreu i PDK-së njëherësh kreu i kuvendit, Kadri Vesel u shpreh se zgjedhja e tij është hapi i parë i rëndësishëm. Ai ka përsëritur se Kosova nuk ka më kohë për të humbur, madje ftoi partitë politike për unitet e bashkëpunim për t’u përballur me shumë sfida në rrugën e integrimit të Kosovës në BE e NATO.
 
Ndërkohë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, me anë të një postimi në facebook ka uruar kryetarin e ri të Kuvendit Kadri Veseli, dhe nënkryetarët, duke thënë se pret nga  deputetët që të bashkëpunojnë për të ardhmen e vendit.
 
Veseli u rizgjodh kreu i Kuvendit të Kosovës me 62 vota pro, 52 kundër dhe asnjë abstenim. Pas Veselit u votuan nënkryetarët e Kuvendit Xhavit Haliti nga koalicioni PAN, Aida Dërguti nga Vetëvendosje, dhe Kujtim Shala nga LDK.
 
Sipas mediave në Kosovë, Qeveria e përbërë nga PAN AKR dhe Lista Srbska me kryeministër Ramush Haradinajn, e dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, pritet të votohet të shtunën.
 
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re