Kritikja e arteve pamore, skenografe dhe pedagoge Zana Varvarica, është e ftuara e mbrëmjes së sotme në emisionin ‘Fol me mua’ në Fax News. Ajo ka folur për fushën e gjerë të artit pamor, ekspozitat dhe interesin që duhet të kenë qytetarët për të njohur më nga afër artet.

Sipas Varvaricës, çdo fëmijë në vetvete mund të jetë artist, dhe janë prindërit ata që më pas i japin shtysë edukimit të tyre në një fushë të caktuar.

“Si në çdo fushë tjetër, arti elitar i arteve pamore, kuptueshmërinë te masat nuk e merr njësoj. Dikush e përthith më shpejt, e ka më të afërt, dhe dikush tjetër e ka më të largët, për shkak të edukimit. Nëse ke një formim që në vitet e para, ti arrin të kuptosh zhvillimin e tij, artin artizanal, artin mediokër dhe atë që bën vërtetë art pamor.

Unë kam një pikturë timen kur kam qenë fëmijë, në një letër të verdhë, që kushdo që e sheh thotë se ajo nuk është një vepër arti. Një fëmijë ka aftësi që të bëhet një artist, por duhet të jenë prindërit ata që e çojnë dhe e edukojnë te specialistët, njëherë talent dhe dhjetë herë punë. Edhe unë e fus veten në këtë kategori, që kam pasur një mbështetje të jashtëzakonshme të familjes.

Nuk dua të mohoj dhe shkollën që kam bërë në kohën e komunizmit, që ka qenë e ashpër, por për disa prej nesh ka bërë shumë mirë. Unë nuk mendoj se artistët tanë të mirë, realizmi socialist i rrëzoi, i kaloi në sprova.

Ka disa vepra që nuk zbërthehen dot, siç ishte ajo ”gju më gju” me popullin, është një epokë e mbyllur, që kur ti hyn brenda gjen gjëra të çuditshme. Unë nuk jam që ne të harrojmë epokat, ajo është një pjesë e historisë sonë. Më përpara unë i kam përgatitur studentët se si të shkojnë te realizmi socialist, është e vështirë që studentët ta kuptojnë.

Orientimet politike do të ndikojnë gjithmonë në art, sa kohë që ne drejtorët ende i emërojmë politikisht. Nëse kemi vetëm një galeri, atëherë do të jenë të ndikuara politikisht.

Mua më vjen keq që nuk ka nxitje të shkollave për të vizituar ekspozitat, duhet bërë, e këshilloj këtë për të gjitha bashkitë e vendit. Le të bëhet një program, për të treguar disa ekspozita që duhet të vizitohen. Kuratori duhet të bëjë edhe programin e edukimit të një ekspozite, ta shpërndajë atë në shkollat e vendit“, tha Varvarica.

E pyetur nga moderatorja Rovena Dilo në lidhje me çmimet e veprave pamore, Varvarica nuk u kursye me një shifër, që i takon veprës së Anri Salës, një artist tepër i talentuar shqiptar.

“Mund të them që një vepër e Anri Salës, që është vepër artistike në video 7-8 mijë dollarë. Sot Anri Sala është shumë më shumë, ajo ishte video e parë”, u shpreh kritikja.

Ndërkohë që një temë mjaft interesante që u trajtua ishte dhe ajo mbi veshjet e politikanëve në vendin tonë, kryesisht deputeteve gra, ku Varvarica dha disa këshilla.

“Unë shoh shpeshherë si vishen gratë politikane, masa më e madhe e tyre, në moshë më të madhe, janë veshur ku thërret qameti, se burrat e kanë më të thjeshtë. Por edhe te ata mund të jetë një jakë ndryshe që mund të bëjë diferencën, nuk mund të shkosh në Kuvend me një kostum të kaltër.

Ajo e kaltra mund të jetë, por në masë më të vogël, që ty të zvogëlon, jo të të mbulojë e kaltra. Ajo ngjyrë mund të jetë e denjë për të shkuar në dasmë.

Në Kuvend duhet të kesh njëlloj veshje elitare, për publikun ata duhet të jenë më të thjeshtë, pasi ata që i ndjekin, nuk e përballin dot këtë lloj trysnie që përdorin gratë parlamentare. Sepse njerëzit mund të thonë se kemi një jetë që punojmë, dhe nuk e arrijmë dot këtë. Një kryebashkiak nuk mund të mbajë një çantë 12 apo 13 mijë euro, pasi punonjësi i vetë mund të ketë një markë të njëjtë, por që është imitim.

Të mundohen që të jenë më komod, më modest. Një politikan i sotëm që është edhe biznesmen mund ti ketë, unë nuk kam asnjë rezervë ndaj atij që është biznesmen, pse mos ti ketë”, përfundoi Varvarica./Faxweb.al

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re