Emisioni Uniko i është rikthyer historisë së vdekjes së 21-vjeçares Sonila Cani në Itali, e cila u gjet e pajetë në banesën e saj në Torino, ngjarje e cila mbart me vete një sërë misteresh dhe pikëpyetjes.

Bashkëshorti i saj Kreshnik Cani pas ngjarjes ka pranuar që e reja dilte në rrugë për të prostituuar, ndërsa vetë ai dyshohet si i përfshirë edhe në trafikun e lëndëve narkotike. Prindërit e të resë, Sose dhe Dashnor Nazo kanë dyshime se pas vdekjes së Sonilës fshihet vetë Kreshniku, i cili mban me vete edhe djalin e mitur.

Në muajin Qershor, dy ditë para transmetimit të pjesës së 6 të serisë së emisioneve ‘Kush e vrau Sonilën’, bashkëshorti i Sonila Canit, Kreshnik Cani, njoftoi në Facebook se ishte larguar nga Italia drejt SHBA-së pasi nuk mund të vazhdonte më jetën në Torino, dhe sipas tij, shkak ishte bërë emisioni “Uniko”.

Përmes një videoje në Facebook brenda një banese, Kreshnik Cani tregonte se kishte mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me djalin e tij të vogël, duke përdorur edhe një gjuhë jo të përshtatshme.

Nga verifikimet Kreshnik Cani nuk kishte shkuar në Amerikë sikurse ai pretendonte, por nga ana tjetër nuk ishte as në Itali.

Cani tentoi të çorientonte opinionin publik, por edhe stafin e emisionit, për vendndodhjen e tij. Megjithatë, emisioni Uniko nuk u përfshi për asnjë moment në debat të drejtpërdrejtë me Kreshnik Canin, pasi ai nuk është fokusi i këtij emisioni. Përmes provave të pakundërshtueshme u zbulua vendodhja e Kreshnik Canit, pasi ky i fundit ishte larguar nga Italia.

Kreshnik Cani kishte shkuar në Islandë, dhe sapo kishte mbërritur në këtë shtet, kishte kërkuar azil me motivin se po i kërcënohej jeta. Pas kësaj kërkese, ishte vendosur nga autoritetet islandeze në një qendër pritje të azilkërkuesve 24 kilometra larg kryeqytetit Rejkjavik, në Hafnarfjordur.

Pak javë pas qëndrimit atje, Kreshniku është rikthyer në Shqipëri së bashku me djalin e tij nga ana e autoriteteve islandeze, duke shkëputur dhe çdo kontakt me familjen e gruas së tij të ndjerë.

Me mbërritjen e tij në Shqipëri, ai nuk iu është përgjigjur më telefonatave të gjyshërve të djalit të tij, ndërkohë që të ftuar në studio çifti Nazo kërkon drejtësi për vajzën e tyre. Ata thonë se e bija nuk vuante nga asnjë sëmundje, dhe se nuk ishte as shtatzënë.

Në një bisedë me gazetarin Koka, Kreshniku akuzonte babanë e Sonilës se kishte marrë 10 mijë euro, në mënyrë që të mos tregonte personat e vërtetë që shfrytëzonin të renë në rrugët e Torinos. Vetë Dashnor Nazo i mohoi akuzat, duke thënë se ishin të pavërteta.

Prindërit e Sonilës pranuan se ish-dhëndri dhe e bija u kishin dërguar para nga Itali, por vetëm në kohën kur merreshin me rritjen e nipit të tyre, që për disa kohë e kanë mbajtur në Shqipëri. Tashmë që është kthyer në Shqipëri përballja me Kreshnik Canin do të ishte më e mundshme, por ai ka refuzuar që të vendosë çdolloj kontakti me prindërit e bashkëshortes së ndjerë.

Vetëm pak ditë para vdekjes së Sonilës, Kreshniku iu kishte shkruar miqve dhe njëherësh personave me të cilët kishin përplasje për territoret, se në rast se sherret vazhdonin do ta gjenin 21-vjeçaren të varur në tualet, ashtu siç edhe ndodhi.

Vetë Cani thotë se ai ka telefonuar ambulancën kur ka parë Sonilën të varur, por për të kthyer në jetë vajzën nuk është bërë dot asgjë. Nga ana tjetër pikëpyetjet shtohen pasi askush nuk gjen telefonin e të resë, për të parë nëse kemi të bëjmë me një vetëvrasje apo një ngjarje kriminale që e ka zanafillën pikërisht te aktiviteti i paligjshëm i prostitucionit dhe trafikut të drogës.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re