Kërkimet nga njësia e specializuar e RENEA dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Publike për gjetjen e trupave të nënës 39-vjeçare dhe dy fëmijëve të saj, që u hodhën në lumin Buna, do të vijojnë dhe përgjatë natës.

Ende nuk ka asnjë shenjë nga trupat e 39-vjeçares Alma Arrazi dhe dy fëmijët e saj të mitur, ndërkohë që vajza 9-vjeçare është gjetur e pajetë nga një peshkatar mbrëmjen e djeshme (4 maj).

Dyshohet se vetëflijimi i nënës së bashku me fëmijët është bërë për shkak të dhunës sistematike nga bashkëshorti, 31-vjeçari Ergys Arrazi, i cili tashmë është arrestuar nga policia.

NGJARJA:

Dy ditë më parë, 31-vjeçari Ergys Arrazi ka bërë denoncimin në polici se gruaja tij, Alma Arrazi bashkë me tre fëmijët, 9,8 dhe 3 vjeç janë zhdukur, por në të vërtetë pas kësaj zhdukje qëndronte dora e një babai dhunues, që ka detyruar nënën bashkë me tre të miturit të ndërmarrë aktin ekstrem.

Mbrëmjen e djeshme, një peshkatar i zonës ka gjetur të pajetë në ujërat e lumit Buna, vajzën 9 vjeçe. Por deri tani (5 maj, ora 20:00) nuk dihet ende fati i nënës, Almës 39 vjeçe se bashku me dy fëmijët e tjerë, 8 dhe 3 vjeç.

ARRESTIMI I 31-VJEÇARIT

Dëshmia e motrës së Almës, e cila ka deklaruar në polici se motra e saj dhunohej barbarisht dhe në mënyrë sistematike, por edhe dhuna në trupin e vajzës, kanë bindur policinë që të arrestojnë babain Erdgys Arrazi.

Pista kryesore që po heton policia është dhuna në familje e shkaktuar nga bashkëshorti 31-vjeçar, i cili është arrestuar në Shkodër pas deklaratave kontradiktore që ka dhënë në polici.

31 vjeçari, i cili më parë ka qenë i dënuar për kultivim të bimëve narkotike, akuzohet për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

DËSHMIA E MOTRËS SË 39-VJEÇARES

Motra e Alma Arrazit, pas njoftimit se ajo dhe 3 fëmijët janë zhdukur ka shkuar në policinë e Shkodrës dhe ka treguar se Alma dhunohej barbarisht nga bashkëshorti bashkë me fëmijët.

Dëshmia e saj por dhe shenjat e dhunës në trupin e vogëlushes që u gjet e mbytur i krijuan bindjen policisë për ta vene në pranga Erdgys Arrazi për veprën penale të Shkaktimit të vetëvrasjes.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re