Një pjesë e mbishkrimeve të gjetura brenda banesës ku u vetëflijuan nënë e bijë në kombinat i përkasin librave të “Dëshmitarëve të Jehovait”.

Këtë e kanë zbuluar ekspertët e marrë nga policia dhe prokuroria për të hedhur më shumë dritë rreth kësaj ngjarjeje të rëndë.

Edhe pse në banesën e tyre, policia nuk gjeti asnjë libër që i përket këtij sekti, ekspertët u kanë thënë uniformave blu se disa prej letrave të shkruara me shkrim dore, janë thënie të shkëputura nga broshura të ndryshme të librave të Dëshmitarëve të Jehovait.

Burime zyrtare pranë policisë sqaruan për “ABC News”, se ka ende shkrime të gjetura brenda shtëpisë Josifi që nuk dihet akoma se kujt feje i përkasin.

Grupi hetimor ka dyshime se edhe e mbijetuara e vetme nga tragjedia e kësaj familje, Blerta Josifi, fsheh të vërtetën mbi sektin fetar që praktikonin dy vitet e fundit.

Në dëshminë e saj, 34 vjeçarja u ka thënë oficerëve të policisë se gjatë kësaj periudhe nuk frekuentonin asnjë besim fetar dhe se kishin vendosur që rrugën e Zotit ta gjenin vetë.

Për shkak se dëshmia e së resë, nuk i ka bindur plotësisht hetuesit, burime bëjnë me dije se Blerta Josifi do të merret sërish në pyetje, menjëherë, sapo të jetë në gjendje më të mirë mendore e shëndetësore.

Që prej 2 korrikut, Blerta Josifi ndodhet e shtruar në spitalin psikiatrik.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re