Kanë mbetur vetëm 24 orë nga afati për të dorëzuar draftin për Reformën Zgjedhore, por palët mbeten ende në ngërç për disa pika. Rudina Hajdari i bën thirrje publike Këshillit Politik për tu mbledhur për përfundimin e draftit duke i kërkuar që të mos e mbyllin takimin pa arritur kompromis.

Në një shkrim të bërë publik, Hajdari tha: “Duke qenë se na ndajnë vetëm 24 orë nga mbarimi i afatit që kemi vendosur për të përfunduar reformën zgjedhore dhe ende jemi larg një kompromisi, i ftoj sot publikisht anëtarët e Këshillit Politik që të mos e mbyllim mbledhjen derisa të arrijmë kompromisin për këto çështje:

Sistemin Zgjedhor;
Teknologjinë e përdorur në zgjedhje për identifikimin e votuesve;
Administrimin e zgjedhjeve dhe administratën zgjedhore;
Kolegjin Zgjedhor.

Nëse nga sot e deri nesër, punojmë pa pushim, duke patur parasysh jo interesat e ngushta të partive por interesat më të mira të shqiptarëve, ne mund t’ia dalim të prodhojmë një reformë e cila t’i rezistojë kohës dhe të prodhojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Shqiptarët, qartazi, sot duan të kenë më shumë pushtet në përzgjedhjen e deputetëve nëpërmjet listave të hapura. Shqiptarët janë të lodhur nga historia 30 vjeçare e zgjedhjeve që vidhen, blihen apo shkatërrohen nga keqpërdorimi i administratës shtetërore apo përfshirja e krimit të organizuar.

Unë mbetem e vendosur për t’i zgjidhur këto çështje, ndaj i ftoj edhe kolegët të më bashkohen në këtë vendosmëri dhe të mos dalim nga takimi pa arritur një rezultat.” (A.M/Faxweb.al)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re