Vedat Muriqi po përjeton një sezon të jashtëzakonshëm në La Liga.
Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës ka shënuar 11 gola, po aq sa edhe Ferran Torres i Barcelonës, ndërkohë që në krye është Kylian Mbappe me 18.
Është kjo një shifër që përmirëson të gjithë sezonet e mëparshëm të ‘Piratit’ me skuadrën ishullore me futbollistin që po projektohet drejt shënimit të paktën të 20 golave në këtë sezon.
Të 11 golat e shënuara, Muriqi i ka shënuar në 18 ndeshje pasi në sfidën kundër Barcelonës mori karton të kuq ndërsa ndaj Celta Vigo mungoi.
Futbollisti dardan e nisi serinë e tij të golave në ndeshjen me Real Madrid në “Santiago Bernabeu” dhe që nga ajo ndeshje ai ka pasur takime të shpeshta me golin teksa ka shënuar edhe ndaj Espanyol, Atletico Madrid, Sevilla, Getafe, Osasuna, Elche, Girona dhe Rayo Vallecano së fundmi.
LEXO EDHE: VIDEO/ Muriqi nuk di të ndalet, vjen goli i 11-të sezonal në La Liga
Vedat Muriqi është vetëm 5 gola larg thyerjes së rekordit të tij personal me Mallorcan, me 15 gola të shënuar në sezonin 2022-23.
Por ajo që ka më shumë rëndësi është se sulmuesi ka barazuar venezuelianin Arango si shënuesi i dytë më i mirë në historinë e Mallorcas me 45 gola të shënuar në total me skuadrën ishullore.
Përpara tij është vetëm kamerunasi Samuel Eto’o me 54 gola të shënuar me Mallorcan, por është e qartë se me këtë ecuri dhe duke qenë se kontrata e tij klubin iberik skadon në verën e vitit 2030, është vetëm cështje kohe që Muriqi të kalojë edhe një emër si Samuel Eto’o.

Ndërkaq, Vedat Muriqi në këtë vit 2026 është përballë një sfide të jashtëzakonshme; kualifikimin në Botërorin e SHBA, Kanadasë dhe Meksikës me kombëtaren e vendit të tij Kosovën e cila do të luajë në fazën e playoffit me Sllovakinë dhe në një fitore të mundshme Dardanët do të përballen me fituesin e çiftit Rumani-Turqi.
LEXO EDHE: UEFA publikon oraret e ndeshjeve “Play Off”/ Ja kur luan Shqipëria dhe Kosova
