Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka bërë një postim në rrjetin e tij social Facebook, përmes të cilit flet për situatën aktuale të ekonomisë në vendin tonë.
Nga qelia, Meta thekson se “vetëm largimi i Organizatës Kriminale rrit të ardhurat për qytetarët shqiptarë”.
Niveli i të ardhurave tatimore të Shqipërisë vazhdon të jetë më skandaloz në rajonin tonë, thotë Meta.
Presidenti i PL-së thotë megjithatë se në Shqipëri ka para për qytetarët, por fillimisht vendi duhet të shkëputet nga krimi.
“Pra para ka sa të duash por nuk duhet të ketë Organizatë Kriminale në qeverisjen e vendit dhe as drejtësi që nuk i shikon “krimet intelektuale” të saj”, shkruan Meta.
Postimi i plotë
𝐕𝐞𝐭𝐞̈𝐦 𝐥𝐚𝐫𝐠𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐎𝐫𝐠𝐚𝐧𝐢𝐳𝐚𝐭𝐞̈𝐬 𝐊𝐫𝐢𝐦𝐢𝐧𝐚𝐥𝐞 𝐫𝐫𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐚𝐫𝐝𝐡𝐮𝐫𝐚𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐢 𝐜̧𝐨𝐧 𝐭𝐞 𝐪𝐲𝐭𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐭.
Niveli i të ardhurave tatimore të Shqipërisë vazhdon të jetë më skandaloz në rajonin tonë.
Raporti i të ardhurave tatimore në nivelin 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, është rreth 5% nën mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pavarësisht që në taksat kryesore përgjithësisht normat tatimore janë në përputhje me ato të vendeve të rajonit, hendeku i performancës tregon mangësi të rëndësishme në bazën tatimore, diferencimet dhe përjashtimet tatimore, si dhe mungesës së performancës për shkak të korrupsionit dhe mungesës së profesionalizmit.
Shqipëria ka raportin më të ulët të efiçencës të së ardhurave të mbledhura në rajon, si rezultat i pragjeve të shumta dhe përjashtimeve, që inkurajojnë nëndeklarimin dhe dobësojnë zbatimin e sistemit fiskal.
Shqipëria ka një raport efiçence të mbledhjes në 0.6 kur ndërkohë Kosova e ka mbi 0.85.
Forcimi i administrimit, reduktimi i pabarazisë në trajtimin tatimor të sektorëve të caktuar të ekonomisë dhe reduktimi i informalitetit do të ndihmonte në ngritjen e mbledhjes së taksave drejt mesatares së Bashkimit Europian.
Rritja e të ardhurave është e domosdoshme për t’ju përgjigjur rritjes së presioneve të shpenzimeve për arsimin, shëndetësinë, pensionet dhe kujdesin social.
Analiza e raportit vlerëson një rritje kumulative të nevojave për shpenzime publike prej rreth 7% të PBB-së në vitet e ardhshme.
Gjithashtu është e domosdoshme dhe ka hapësirë për përmirësimin e përbërjes dhe cilësisë së shpenzimeve publike.
Më shumë fonde duhet të drejtohen drejt arsimit publik, veçanërisht në nivelin e arsimit të mesëm dhe të lartë, si dhe shpenzimet e kujdesit shëndetësor.
Shpenzimet për 1 nxënës të arsimit të mesëm llogariten në 1000 USD sipas paritetit të fuqisë blerëse kur ndërkohë mesatarja e vendeve europiane emergjente dhe ne zhvillim, ku bën pjesë dhe Shqipëria, shpenzimet janë rreth 4200 USD ose 4.2 herë më të larta për 1 person.
Shpenzimet për 1 student të arsimit të lartë llogariten në 1800 USD sipas paritetit të fuqisë blerëse kur ndërkohë mesatarja e vendeve europiane emergjente dhe në zhvillim, shpenzimet janë rreth 4800 USD për 1 person ose rreth 2.7 herë më të larta.
Numri i shtretërve për 1000 banorë në Shqipëri llogaritet të jetë 2 herë më i ulët se mesatarja e vendeve europiane emergjente dhe në zhvillim.
Numri i mjekëve për 1000 banorë në Shqipëri llogaritet të jetë në mesatare dy herë më i ulet se mesatarja e vendeve europiane emergjente dhe në zhvillim.
Numri i infermierëve për 1000 banorë në Shqipëri llogaritet të jetë 1.5 herë më i ulet se mesatarja e vendeve europiane emergjente dhe në zhvillim.
Mbulimi dhe shtrirja e asistencës sociale për të varfërit në Shqipëri është mbrapa standardit të krahasueshëm me vendet e tjera dhe mund të rritet më tej nëpërmjet riprioritizimit të shpenzimeve, propozim që Partia e Lirisë ka paraqitur me amendamentet e saj në Parlament, që u rrëzuan nga “Rilindja” e “tuneleve” pa dritë në fund të tyre për 50% të popullsisë që jeton në kufij të varfërisë absolute.
Ndërkohë niveli i të ardhurave në raport me PBB vazhdon 28% nga 41-42% që e kanë Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi.
Kjo diferencë prej 13-14% do të thotë 3,2 miliard euro në një vit ose gati 13 miliard euro në një mandat që grabiten nga Organizata Kriminale në pushtet pa hyrë fare në buxhetin e shtetit.
Këtu janë paratë për rritjen e pensioneve, pagave dhe financimin e arsimit me 5% të PPB, të shëndetësisë, të bujqësisë dhe të mbështetjes të prodhimit vendas dhe eksporteve.
Përveç rezervave të jashtëzakonshme nga lufta kundër korrupsionit në investimet publike dhe rikthimi i prokurimeve transparente bazuar në kostot reale dhe jo të trefishuara apo dhjetëfishuara, siç na e dëshmoi edhe ish-Zv/Kryeministri Ahmetaj.
Pra para ka sa të duash por nuk duhet të ketë Organizatë Kriminale në qeverisjen e vendit dhe as drejtësi që nuk i shikon “krimet intelektuale” të saj.