Ish shefi i antidrogës në Fier, Dritan Zagani ka folur në Fax News në lidhje me arratisjen e Moisi Habilaj, për të cilin thotë se do të ekstradohej në Shqipëri për gjyqin e Saimir Tahirit. Zagani thotë se është punuar fort që të ishte në “arrest shtëpie” ndonëse ndaj tij rëndojnë akuza shumë të forta.

“Të dhënat janë që do të ekstradohet për në Shqipëri. Menjëherë pas kërkesës nga pala shqiptare, zhduket se kupton se po i fshihet gjyqit për Saimir Tahirin në Tiranë sepse do të jetë një nga dëshmitarët kyç.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit të Apelit, pala shqiptare ka dërguar kërkesën për ekstradimin. Interpol Roma sapo ka marrë kërkesën, ka filluar procedurën duke njoftuar Gjykatën e Apelit që jep vendimin përfundimtar. Sapo është ekstraduar, është njoftuar që do të ekstradohet dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të kthehet në Shqipëri e të jetë pjesë e këtij procesi gjyqësor.

Detyrimisht, për të mos u paraqitur, e vetmja mënyrë është kjo. Nga të dhënat që kam unë, është investuar shumë edhe dalja në arrest shtëpie vetëm për të parandaluar këtë. Njerëzve në pushtet nuk i leverdis.

Dëshmia e Habilaj besoj se do sillte disa të vërteta për trafikun e drogës që mesa dihen dhe flitet, Moisiu ka marrë përsipër që të drejtonte në Itali. Edhe në arrest shtëpiak u la për shkak të bashkëpunimit. Më pas u pa çfarë vlerash ka sepse ka akuza të rënda për trafik ndërkombëtar droge dhe armësh. Shumë faktorë u mblodhën bashkë dhe u la në arrest shtëpie”, tha Zagani.

Zagani shtoi se në arratisjen e tij janë të implikuar persona me pushtet, por zgjodhi të mos përmendte emra pasi nuk ka fakte në dorë.

“Unë nuk akuzoj direkt asnjë person sepse të akuzoj duhet të kem dokumentat në dorë. Unë kam disa informacione të mia që persona në pushtet nuk duan që të  zhvillohet gjyqi në Tiranë. Është një zinxhir i madh duke nisur nga Edi Rama. 

Po u akuzua Saimiri për trafik droge, çfarë i ngelet Edi Ramës, të hapë burgun për veten. Dhe çfarë do bëjë, të shfrytëzojë të gjitha lidhjet, qoftë të miqve politikë apo interesave ekonomike që të mos zhvillohet gjyqi.

Moisi Habilaj është një ushtar që nuk e di çfarë i ka bërë vetës që se ka bërë nga qejfi, por nga halli se merr urdhër. Në fund të fundit, nëse nuk i bindet klanit që të arratiset, të heqin edhe qafe fare sepse i kanë të gjitha mundësitë. Mafia i komandon të gjitha. Në procedurat e ligjit italian, do i ngarkohet një vepër më tepër. Ai nuk ka më shanse për të jetuar i lirë. E vetmja mundësi është që të lidhet me një institucion legal. Të tjerat nuk e di si i ka bërë llogaritë por vështirë do ta ketë”, tha Zagani.

Sipas tij, arratisjes së Habilajt i vjen fundi shpejt vetëm në rast se e vrasin. “Shumë shpejt vetëm nëse do e heqin qafe nga kjo botë sepse pa mbaru gjyqi, jo”, u shpreh ish shefi i antidrogës. (A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re