Theodhor Arbri është “veterani” i “Dinastisë Arbri” në futbollin shqiptar, dhe sot ai ndjehet krenar për atë që brezat e kësaj dinastie i kanë dhënë futbollit beratas dhe atij kombëtar. Në intervistën për Sportekspres.com, ai shprehet për rrugën që kanë ndjekur në futboll vëllezërit e tij dhe fëmijët, ndërsa është skeptik për situatën e Tomorit në Kategorinë e Parë.

Pas dy fazave të para në Kategorinë Superiore, Arbri e shikon të vështirë dhe të fortë garën për kreun, të cilën e ndan mes Partizanit, Kukësit e Teutës. Laçin dhe Flamurtarin i quan vetëm skuadra që duan Europën dhe për zonën e mbijetesës veçon Kastriotin. Për skuadrën e dytë që mund të zbresë nga kategoria, ai e sheh në dyshen mes Luftëtarit e Kamzës.

Nga “Dinastia Arbri”,  po bëhet ende “rezistencë” në futbollin e kësaj periudhe?
-Mbiemri “Arbri” asnjëherë nuk ka luajtur futboll për të rezistuar. Njihet kontributi ynë ndër vite, i cili sot për sot mbahet në trajning. Unë dhe Klodiani drejtojmë skuadra të moshave në Berat, Gersi të rinjtë e Tomorit, ndërsa Polizoi ka ditë si zëvendëstrajner te Luftëtari.

Në familjen tuaj, do të ketë të tjerë “Arbri” për futbollin shqiptar?
-Besoj se do të presim disa vite, jo shumë, që pasardhësit tanë të shafqen në futbollin shqiptar. Aktualisht, në aktivitet me moshat janë dy djemtë e Gersit, Geroni dhe Amari në Berat, ndërsa në Vlorë është djali i Polizoit, Noeli. Duken me talent në futboll, por të presim.

Kur ju luanit në një skuadër me vëllanë tuaj Arbenin, si ndjeheshit?
-Nuk ka më bukur se kur luan në një skuadër më vëllanë. Beni ka qenë një futbollist i talentuar me Tomorin e Kombëtaren, dhe besoj se në atë periudhë të dy kemi dhënë kontribut të madh. Te Tomori rezultatet ishin pozitive, ndërsa Arbeni luajti me sukses edhe në Greqi.

Kur sheh sot futbollin shqiptar, si e kujton aktivitetin tënd si futbollist i Tomorit?
-Futbolli shqiptar sot ka shumë ndryshim me atë futboll kur unë kam luajtur. Ne kishim ekonomi të dobët atëhere, por prodhonim lojë dhe jepnim shpirtin në fushë. Këtë nuk e shohim sot te skuadrat e Superiores, ndoshta edhe nga hapësira e tregut në futbollin tonë.

Në karrierën tuaj 15 vjeçare si futbollist, keni një ndeshje që ju ka mbetur më shumë në kujtesë?
-Ka shumë ndeshje e detaje që unë i veçoj dhe i ruaj në kujtesë, por më të veçantë kujtoj ndeshjen Tomori-Kombëtarja, më 15 maj 1985. Kjo ndeshje u luajt në përurimin e stadiumit “Tomori”, dhe në fitoren tonë 3-1 unë shënova golin e parë.

Aktualisht sa e ndiqni futbollin shqiptar sot?
-Natyrisht që e ndjek, dhe shumë rregullisht. Me këtë shpërndarje që i është bërë Superiores dhe Kategorisë së Parë, thuajse shoh një ndeshje në ditë, ku gjeografia e këtij interesi për mua është në periferinë e Myzeqesë, shpesh edhe në Tiranë.

Në 18 javët e luajtura në Superiore, çfarë mund të dalloni si dukuritë më të veçanta?
-Dukuria më evidente është fakti se Partizanit si kryesues i renditjes po ecën  mirë drejt titullit kampion. Nuk mendoj një Skënderbe si në sezonet e kaluara, ndërsa Kukësi do jetë rival, së bashku me Teutën që po tregohet skuadër simpatike.

Në fundin e renditjes janë katër skuadra, ju si e shikoni mbijetesën e tyre në Superiore?
-Me pozicionin në fundin e renditjes Kastrioti duket shumë i rrezikuar, dhe skuadrën e dytë që mund të zbresë nga Kategoria Superiore e shoh mes Kamzës e Luftëtarit. Kjo do të varet shumë nga përforcimet që mund të bëjnë gjatë këtij muaji dhe nga pikët që do të grumbullojnë në dy fazat e tjera.

Po për Kategorinë e Parë ku Tomori ka sezone që “vegjeton”, si e mendoni vazhdimësinë e tij?
-Në 14 javë, Tomori nuk tregoi se është për pesëshen e parë në Grupin B dhe po rrezikon shumë mbijetesën në Kategorinë e Parë. Ndryshimi në bankinë shpresoj të sjellë fat, por interesimit të bashkisë i duhet edhe një sponsor, apo kalim i klubit me maxhorancë drejtues privatë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re