Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur i bindur për formimin e shpejtë të qeverisë së re dhe thellim të marrëdhënieve bilaterale me SHBA-të.

Në një njoftim për mediat Lëvizja Vetëvendosje jep detaje nga takimi mes Kurtit dhe ambasadorit amerikan Philip Kosnett, që vjen pasi VV fitoi zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

“Ambasadori, z. Kosnett uroi kryetarin Kurti për fitoren në këto zgjedhje duke i dëshiruar sukses të mëtejmë. Ai uroi që nga ky proces sa më parë të kemi një qeveri e parlament funksional.

Kryetari Kurti e falënderoi për urimin dhe vizitën, dhe ndau bindjen që shumë shpejt do ta kemi qeverinë e re, dhe mundësinë për të bashkëpunuar për projekte konkrete që ndihmojnë shtetndërtimin demokratik, zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve tona”, thuhet në njoftim.

Pas takimit me Kurtin, Kosnetti ka shfrytëzuar rrjetet sociale, për të kërkuar formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re.

“Pata kënaqësinë ta takoj Albin Kurtin për t’ia uruar Lëvizjes Vetëvendosje fitoren dhe për të diskutuar për rrugën e Kosovës përpara.

U bëjmë thirrje palëve të punojnë shpejt për të formuar një qeveri dhe Kuvend që u shërben të gjithë qytetarëve dhe që adresojnë të gjitha sfidat urgjente”, ka shkruar Kosnetti në rrjetet sociale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re