Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendimin e arsyetuar në lidhje me rrëzimin e kërkesës për t’i tërhequr vërejtje prokurores Elina Kombi, e cila la në burg Bilbil Hasanin, të arrestuar për vjedhje, por vuante nga problemet mendore dhe më pas u vetëvra në burgun 313-të në Tiranë.

Në deklaratën e shpërndarë për media nga ILD-ja thuhet se pas përfundimit të hetimit, ky institucion i paraqiti Këshillit të Lartë të Prokurorisë kërkesë për procedim disiplinor ndaj magjistrates dhe propozoi masën “Vërejtje publike”, bazuar në gjetjet se ajo nuk ndërmori asnjë veprim për të verifikuar gjendjen shëndetësore të të ndaluarit, edhe pse u paraqit një vlerësim mjekësor, se personi vuan nga sëmundje e llojit “Skizofreni tipi Paranoid“.

“Për një rast të tillë, Kodi i Procedurës Penale (nenet 43, 182, 259, 327/6 shkronja a, 328/1 dhe 329/a) e detyron prokurorin të kryejë një sërë veprimesh proceduriale, përfshi këtu edhe verifikimin e gjendjes mendore të të pandehurit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është në pritje të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për këtë rast, për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm”- thuhet në deklaratën e ILD-së.

Me 7 vota pro dhe dy kundër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që të rrëzojë kërkesën e ILD-së për vendosjen e masës disiplinore për prokuroren Elina Kombi.

“Me propozimin e Komisionit Disiplinor, Këshilli vendosi me 7 vota pro dhe 2 kundër (Gent Ibrahimi dhe Nurihan Seiti) rrëzimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për procedim disiplinor ndaj magjistrates, për shkak se faktet e pretenduara nuk përbëjnë shkelje disiplinore, pasi nga veprimet apo mosveprimet e prokurores, nuk konstatohet ardhja e ndonjë pasoje për palët në procedimin penal”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re