Ministri i Brendshëm Fatmri Xhafaj tha se vetingu është i domosdoshëm, pasi ne Policinë e Shtetit ka persona qe kane probleme me integritetin per te qene pjese e uniformave blu. Ne prezantimin para ambasadoreve te projektligjit per vetingun, ministri sqaroi se nisma ligjore brenda pak javësh do të jetë në Kuvend për miratim.
 
“Kjo është një reformë e vështirë, por një reformë e cila është e domosdoshme në kushtet aktuale kur ne konstatojmë se në radhët e Policisë së Shtetit, ashtu siç ka plot burra dhe gra, vajza dhe djem të ndershëm, profesionistë, ka edhe jo pak nga ata që kanë probleme me integritetin, me kushtet e integritetit për të qenë pjesëtarë të kësaj Agjencie me profesionalizëm, gjë që pa dyshim ka pasoja të drejtpërdrejta në eficiencën e punës së Policisë së Shtetit.”
 
Ndërkombëtaret, pasi u njohën me detajet për realizimin e procesit të Vettingut në Policinë e Shtetit, shprehën mbështetje për nismën.
 
“Mendoj që kjo formë do të jetë e dobishme në termat e përshtatjes dhe plotësimit të draftit dhe t’i përgjigjeni pyetjeve të rëndësishme, veçanërisht në fushën e komunikimit, teksa shkojmë përpara. Përtej komplimenteve, ne jemi këtu. Jemi me ju. Jemi të interesuar dhe do të vijojmë të jemi.”
 
Ministri Xhafaj shtoi se drafti është hartuar duke u bazuar në standardet më të mira, nisur nga përvoja e ligjit për Vettingun në sistemin e drejtësisë.
 
Në javët e fundit janë organizuar disa tryeza konsultimi me drejtues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të legjislativit, të Agjencive ligjzbatuese dhe shoqërisë civile, duke përfshirë në draftin final sugjerime të tyre.
 
Kriteret e vlerësimit për punonjësit e Policisë janë tre: integriteti, verifikimi i pasurisë dhe profesionalizmi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re