Farat e susamit janë një nga farat më të njohura për njerëzimin dhe përdoren gjërësisht në kuzhinë, si ilaçe tradicionale për vetitë e tyre ushqyese por edhe si preventivë kuruese. Susami është burim i rëndësishëm i fito-nutricientëve, të tilla si omega-6 acide yndyrore, antioksidantëve, vitaminave dhe fibrave dietike me potencial anti-kancer, transmeton Kosova Post.
Bima e susamit është një bimë vjetore që i takon familjes Pedaliaceae, e cila rritet gjërësisht në Azi, veçanërisht në Burma, Kinë dhe Indi. Gjithashtu paraqet një nga kulturat tregtare në Nigeri, Sudan dhe Etiopi. Emri shkencor: Sesamum indicum.
Bima e susamit kërkon tokë rërore me lagështi të mjaftueshme si dhe ambient tropikal që të lulëzojë. Ajo rritet në lartësi dhe përmban fara të bardha, kafe apo të zeza, në varësi të llojit që kultivohet. Farat e susamit janë me madhësi të vogël, pothuajse të shtypur në formë. Vetitë e saj ofrojnë vlera dhe shije të këndshme.
Përfitimet shëndetësore të farës së susamit
Farat e susamit konsiderohen gjërësisht si ushqim mjaft i shëndetshëm. 100 gr. fara përmbajnë 573 kalori, edhepse pjesa më e madhe e kalorive të saj vjen nga yndyrnat, susami përmban edhe vlera tjera ushqyese si minerale, antioksidantë dhe vitamina.
Farat e susamit janë të pasura kryesisht me mono-acide yndyrore të pangopura, acid oleik. Acidi oleik ndihmon në uljen e kolesterolit të keq dhe rritjen e kolesterolit të mirë në gjak.
Farat e susamit janë gjithashtu burime të vlefshme të proteinave dietike me aminoacide cilësore që janë të domosdoshme për rritje, sidomos tek fëmijët. Vetëm 100 gr. fara sigurojnë rreth 18 gr. proteina, 32% të vlerave të rekomanduar në bazë ditore.
Farat e susamit përmbajnë shumë komponime shëndetësore siç është sesamol (3,4 – metilen-dioxyphenol), sesaminol, furil-methanthiol, guajacol. Sesamoli dhe sesaminoli janë antioksidantë fenolik. Së bashku, këto komponime ndihmojnë në largimin e radikaleve të dëmshme nga trupi i njeriut.
Susami është një ndër farat e pasur me vitamina cilësore si dhe minerale. Janë gjithashtu një burim i mirë i vitaminave B-kompleks, vitamina të tilla si niacin, acid folik, vitamin B1 (thiamin), vitamin B6 (pyridoxine) dhe riboflavin.
100 gr. fara susam përmbajnë 97 mg të acidit folik, rreth 25% të marrjes së rekomanduar ditore. Acidi folik është thelbësor për sintezën e ADN-së . konsumi i tyre nga nënat e ardhshme që dëshirojnë të konceptohen, ndikon në parandalimin e defekteve të tubit nervor tek të sapolindurit.
Niacini është një tjetër vitaminë B-komplekse që gjendet në sasi të lartë tek susami. Rreth 4.5 mg. apo 28% i nivelit të përditshëm të niacinit ofrohet me 100 gr. fara të tilla. Niacini ndihmon në zvogëlimin e niveleve të kolesterolit në gjak. Përveç kësaj, ajo rrit aktivitetin brenda trurit, gjë që ndihmon në uljen e ankthit dhe neurozës.
Farat janë burime të pasura me minerale esenciale. Kalciumi, bakri, hekuri, mangani, zinku, magnezi dhe seleni janë të përqëndruara kryesisht tek fara e susamit. Shumë nga këto minerale kanë një rol të posaçëm në mineralizimin e eshtrave, prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut, sintezën e enzimeve, prodhimin e hormoneve si dhe rregullimin e aktivitetit të zemrës dhe muskujve.
Vetëm një grusht fara susami në ditë siguron nivelin e mjaftueshëm që rekomandohet në bazë ditore, duke përfshirë antioksidantë fenolik, minerale, vitamina dhe proteina.
Përzgjedhja dhe ruajtja
Farat e susamit mund të gjenden në dispozicion nëpër dyqane të ndryshme gjatë tërë vitit, si të thata, të thekura etj. Këto lloj fara mund të jenë me ngjyrë të zezë, të bardhë, apo të verdhë, të paketuara në pako speciale. Farat e susamit duhet të mbyllen hermetikisht për të shmangur prishjen, mabni në vend të errët dhe të thatë. Farat e thata në përgjithësi qëndrojnë të freskët për disa muaj. Shmangni farat e vjetra me erë të prishur apo që kanë qëndruar gjatë kohë.
Përdorimet në kuzhinë
Fara e susamit ka aromë delikatë arrore. Aroma e tyre theksohet edhe më shumë kur butësisht i ngrohni në temperaturë të ulët për disa minuta.
Farat e susamit përdoren me të madhe në kuzhinë. Këto mund ti shtohen një numri të madh të recetave duke i dhënë shije shumë të këndshme.
Farat e susamit mund t’i spërkatni mbi sanduiçë, bukë, biskota, ëmbëlsira, sallata, mish të skuqur etj.
Këto fara shfrytëzohen me të madhe në prodhimin e margarinës në Evropë.
Këto fara përdoren në receta të shijshme të rajonit jugo-indian, duke i përzier me kikirikë të pjekur, bajame etj.
Gomashio është një specialitet japonez ku si përbërës kryesor kanë farat e susamit.
Vaji i susamit i ekstraktuar nga farat e tij, është një nga më të kërkuarit në Malajzi, Indonezi dhe shtetet jugore të Indisë.
Profili i sigurisë
Alergjia nga farat e susamit është një lloj reagimi i mbindjeshmërisë tek disa individë të caktuar. Në përgjithësi reagimet përfshijnë pezmatim të lëkurës apo dermatitis si dhe kruarje. Ndonjëherë manifestimi i alergjisë mund të jetë i rëndë duke përfshirë pasoja si të vjella, dhimbje barku, ënjtje të buzëve dhe fytit e deri në vështirësi të frymëmarrjes. Produktet që përmbajnë susam duhet të shmangen nga personat që kanë alergji të tillë./Kosova Post/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re