Qeveria e Maqedonisë Veriore ka një qëndrim të qartë se po punon për një zgjidhje të përbashkët me Bullgarinë në arritjen e qëllimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por identiteti kombëtar nuk mund të negociohet, tha të mërkurën zëdhënësi i qeverisë Dusko Arsovski.

“Nëse flasim për përcaktimin e gjuhës, Bullgaria ka të drejtë të kërkojë një aneks, por i cili nuk është i pranueshëm nga Qeveria e Maqedonisë Veriore, sepse BE-ja tashmë e ka pranuar gjuhën maqedonase dhe e përdor atë në ngjarje dhe botime. Gjuha maqedonase njihet në dokumentet e BE dhe kjo është e drejta jonë e padiskutueshme,” tha Arsovski.

Deklarata vjen pas vendimit të Bullgarisë për të vënë veton në konferencën e parë ndërqeveritare të Maqedonisë Veriore me BE.

“Qeveria po punon me aleatët ndërkombëtarë dhe është veçanërisht mirënjohëse për rolin e Gjermanisë gjatë presidencës së BE. Në këto momente të sfidës globale, ne duhet të tregojmë vlerat evropiane dhe të favorizojmë dialogun në vend të konfliktit dhe të vendosim gatishmërinë për bashkëpunim para nacionalizmit dhe politikave izoluese”, tha Arsovski.

Ai theksoi se nuk ka negociata mbi identitetin kombëtar të maqedonasve.

“Qeveria kurrë nuk do të heqë dorë nga e drejta jonë për vetëvendosje, e cila është në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Traktatin e Lisbonës dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë Veriore,” tha Arsovski.

Nga ana tjetër, zv.kryeministrja dhe ministrja e Jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva, tha se “vendi i saj ka treguar gjithmonë qëndrueshmëri, parashikueshmëri, transparencë dhe konstruktivitet, por pavarësisht nga të gjitha veprimet e saj të fqinjësisë së mirë, Maqedonia e Veriut nuk ka ndryshuar kurrë thelbin e politikës së saj ndaj Bullgarisë”.

“Në fakt, Shkupi ka vazhduar politikën e tij për të mbajtur pretendime të pabazuara rreth të drejtave të pakicave, historisë dhe gjuhës, ndër të tjera,” tha Zaharieva.

Bullgaria mban pozicionin e saj

Ajo tha se nëse nuk marrin garanci ligjore nga Shkupi në kontekstin e procesit të negociatave me BE se kjo politikë do të ndryshojë, Bullgaria nuk mund të japë dritën jeshile për konferencën e parë ndërqeveritare BE-Maqedoni Veriore dhe fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.

“Ne kemi dhënë shembuj të pengesave administrative artificiale të ngritura kundër investitorëve bullgarë, zhvillimi i lidhjes Lindje-Perëndim është shtyrë dhe Shkupi nuk ka propozuar ndonjë projekt infrastrukture në këtë zonë për periudhën e re të programeve të para-pranimit,” tha Zaharieva.

Ajo theksoi se ekzistonte histeria në mediat e Maqedonisë Veriore, e inkurajuar nga gjuha e hapur e urrejtjes në lidhje me Bullgarinë dhe se kushdo që shprehte mendimin e kundërt konsiderohej tradhtar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re