EMISIONI VETTING

Nik Palokaj, nga qyteti i Lezhës, prej vitesh endet dyerve të institucioneve shtetërore sepse nuk mund të marrë pronën e vet, pronë të cilën ia ka njohur Komisioni i Kthimit të Pronave, ia ka dhënë gjykata me vendim të formës së prerë, por nuk ia njeh Kadastra.

“Vetting” sjell në këtë episod konfliktin për 101 700 m2 tokë në Malin e Shëngjinit, e cila prej 12 vitesh e mban Nik Palokajn peng me shkresa nëpër duar e me fisin në gatishmëri që mos t’ia zënë pronën e trashëguar.

Pengesë për këtë pasuri, sipas Palokajt, është bërë edhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Por kjo e fundit, nuk është e vetme sepse pengesë janë bërë edhe institucionet e drejtësisë, të cilat nuk po përcaktojnë se cilët janë falsifikatoret që pretendojnë këtë pronë.

Sorollatja e pronarëve në fakt ka qenë një shqetësim i fortë, gjë e cila ka mbajtur peng jo vetëm ish pronarët, por edhe ekonominë, që stopohet për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve.

Sipas avokatit Adriatik Lapaj: “Prona është baza e një shoqërie, është prona dhe jeta. Po të morën pronën, praktikisht të kanë ndryshuar jetën dhe të kanë marrë jetën.

Shoqëria përmes të gjithë mekanizmave të vet, duhet ta mbrojë pronën njësoj siç mbron edhe jetën. Baza mbi të cilën ngrihet e gjithë ngrehina, e cila është garanci për mbrojtjen e të drejtës së pronës, është kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.”

Por cila është historia e pronës së Palokajt?

Për “Vetting”, Nik Palokaj rrëfen historinë e pronës së grabitur, e cila, sipas dokumenteve, është në pronësi të fisit Palokaj prej disa brezash. Ata janë autoktonë në këtë zonë dhe Nik Palokaj shpjegon gjithë zinxhirin që ka ndjekur kjo trashëgimi.

“Dikur të parët e mi e kanë blerë tokën për me kullot bagëtia. Tashti me ndërrimet e këtyre sistemeve, hyri demokracia dhe ishte e volitshme për ta shfrytëzuar për turizëm sepse është 70 m2 vijë ajrore nga deti. Edhe i është rritur vlera, por nëse i është rritur vlera, i është rritur për mua që jam i zoti i tokës, pavarësisht se të parët e mi e kanë blerë për të kullotur bagëtia, e jo për të bërë hotele e pallate, edhe e kanë miratuar komplet studim urbanistik atë zonë sepse i kanë bërë letrat vet si i kanë dash pushtetarët e asaj kohe, edhe janë të të interesuar për ta mbajtur për vete”- shprehet Nik Palokaj.

Me ndryshimin e sistemit, në vitin 1991, Niku tregon se të gjithë trashëgimtarët e fisit Palokaj miratuan një prokurë të posaçme, duke ia deleguar njërit prej personave të afërm për të rimarrë pronat e trashëguara nga gjyshi, si ish-pronarë. Por, prokura e posaçme do të prodhonte probleme, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk kanë marrë zgjidhje nga institucionet shtetërore.

Faktikisht, me anë të vendimit të Gjykatës Lezhë në 22 janar 2004, është çelur dëshmia  e trashëgimisë për të ndjerin Gjon Palokaj, ku ishin përcaktuar si trashëgimtar Nikoll Palokaj dhe familjarët e tij.

Fillimisht Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish-pronarëve u ka kthyer 50 dynym në maj 2004 në zonën e Malit të Shëngjinit dhe disa muaj më pas, në nëntor 2004, Gjykata e Lezhës ka vendosur ndryshimin e vendimit të mëparshëm, duke u kthyer trashëgimtarëve 101.7 dynym në Malin e Shëngjinit, i quajtur ndryshe Halija e Kepit.

Nik Palokaj deklaroi për Vetting se: “Problemi im është se djali i xhajës tim, Nikoll Gjon Paloka i ka dhënë një prokurë vëllait dhe nipit për të kthyer pronat, që janë një qind e disa dylym në Malin e Shëngjinit, të cilët i kemi pasur prej 500 vitesh. Qysh se mbahet mënd njerëzimi kanë qenë tokat tona. Erdhi puna me u kthye pronat. Unë isha në Itali dhe kisha iku mbas fëmijëve me punuar dhe jua lamë prokurën atyre me zgjidh problemin e tokave.

Këta në momentin që kanë marrë pronën e kanë kthyer edhe në certifikatë, kanë ikur tek notreja Zana Dema dhe kanë bërë një prokurë fallco, sikur ja ka shitur Nikol Gjon Paloka, kushëriri ia ka shitur Ardian Colit. Ardian Coli është kthyer dhe ja ka shitur Gjergjit dhe Vasilit, atëherë kanë filluar transaksionet duke shitur tokën.

Unë rastësisht isha duke parë televizorin në Itali, se e kisha me sharp, me satelit dhe kur i shoh në ograjet(livadhin) tona, ishin ken tu pi, ç’duke folur për tokën time etj… I them çunit, këta janë në ograjet tona, këta janë tu e shit…

Kur bie zilja te shtëpia e më thonë që toka jote po shitet midis 5 personave. Atje me thirrën në mal, dola atje nga sipër dhe iu drejtova personave “Kush jeni ju dhe çfarë kërkoni këtu?

-Ne, tha, e këna ble

-Ku e keni blerë se toka është e të parëve të mi”.

Niku rrëfen se mbas kësaj ngjarje mblodhi kushërinjtë e tij, duke u treguar se toka u ishte rikthyer si ish-pronarë. Ndërkohë që kishte fituar këtë të drejtë, në terren ai kishte zbuluar njerëz të tjerë të cilit ishin marrë duke blerë apo shitur tokën e trashëguar nga të parët e tyre.

Palokaj tregon se vendosën që për personat përgjegjës, t’i drejtoheshin Prokurorisë dhe Policisë.

Sipas Nik Palokajt, ishte Sektori i Krimit Ekonomik që nisi t’i jepte drejtim situatës. Por çuditërisht, oficeri që u mor me këtë çështje, u hoq nga detyra dhe u transferua në Jug, pasi personat që kishin përfituar nga transaksionet, sipas tij ishin me prokurë të falsifikuar dhe kishin mbështetje nga drejtësia dhe politika.

Në tetor 2007, Nik Palokaj është paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë për problemin e pronës, duke u hapur rrugën hetimeve, të cilat sollën arrestimin e 16 personave njëherësh nën dyshimin si persona përgjegjës për kryerjen e transaksioneve me dokumente të falsifikuara, me qëllim për t’i zhvatur pronën pronarëve realë.

Ish-drejtues i Kadastrës, sot avokat, Flamur Çollaku, thekson problemet që kanë sjellë falsifikimet në këtë fushë.

Sipas avokatit Flamur Çollaku: “Çfarë konstatojmë? Konstatojmë që dy persona janë të pandehur për falsifikim prokurash me anë të të cilave kanë realizuar kontrata shit-blerjeje. Bëhet fjalë për një pasuri në Malin e Shëngjinit, mos gabohem, prej 101 700 m2 dhe kjo pasuri është përfituar me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave. Është bërë dhe  një gjyq me një vendim gjykate nr. 442 I vitit 2006, për t’u futur si bashkëpronarë dhe një ndër bashkëpronarët që është futur është edhe njëri nga të pandehurit, të cilët kanë realizuar 3 prokura, të cilat mbajnë datat…

Organi i akuzës ka hetuar në vitin 2008 se prokurat janë të falsifikuara dhe nuk i kanë çuar personat që përfaqësoheshin. Ndërkohë gjatë këtij hetimi, organi I akuzës ka konstatuar që ka dhe  transaksione edhe mbi pasurinë dhe në këtë vendimin që kemi në dispozicion të Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, konstatohet që janë realizuar dy prokura dhe i ka marrë i njëjti person”.

LEXO EDHE: 

Vetting/ Saga e pronarit mbetet që mbeti pa tokë! Si u ‘grabitën’ me letra false 101 dynym tokë në Shëngjin! Prokurori konstatoi abuzimin, por nuk asgjësoi dokumentet

Tre prokura false ‘zhdukën’ pronarët nga toka! Si u shitën 101 dynym tokë me çmimin qesharak prej 2 milionë e 500 mijë lekë! Procedura abuzive zbërthehet nga ekspertët e Vetting

Vetting zbulon shkeljet ligjore me pronën e Nik Palokajt! Avokatja: Gjykata i dha të drejtë, por prona u shit disa herë! Kush fshihet pas batërdisë me tokat

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re